Nuk është më çeshtje procedure. As “vullneti” të antarëve të Kryesisë, Këshillit Kombëtar a Grupit Parlamentar të PD- së. Natyrisht as çeshtje konjukturash, mbështetje apo përkrahje nga ndërkombëtarët. As edhe antiamerikanizmi dhe “non grata”. Të gjitha këto nuk pijnë ujë kur kanë mbetur pak orë nga nisja e 5 janarit dhe pak ditë nga 8 janari 2022.
Është momenti i duhur për t’ ia lënë fatin në politikë antarëve të PD- së, atyre që e mbështetën dhe mbajtën mbi supe me votën e tyre për mëse 8 vite. Përplasja apo beteja për lidershipin e PD- së po shkon drejt finishit. Nuk ka asnjë gjykatë që mund të marrë vendim deri me 8 janar 2022 se kush është kryetari legjitim i PD- së. Në fakt, nuk besoj se ka gjykatë që guxon të thotë se Lulzim Basha është kryetar legjitim i PD- së. Sepse nga ana tjetër, të paktën “de jure”, nuk ka kryetar deri me 22 mars 2022. Ose më vonë, nëse do të votohet sërish “me një antar, një votë”.
Lulzim Basha ka mundësinë të zhvishet nga petku i kryetarit dhe të tregojë se ka mbështetjen jo të 97% të antarëve të PD- së por 50%+1 të tyre, mjaftueshëm për të qendruar në udhëheqje të PD- së. Ka mundësinë të rikonfirmohet kryetar, nëse beson se ka mbështetjen e bazës demokrate. E nëse e merr këtë mbështetje, ka në dotë të nisë në shtëpi Berishën dhe të gjithë pasuesit e ish- kryeministrit në PD.
Kjo ishte pak a shumë edhe propozimi “in extremis” i Edi Palokës. Në kushtet aktuale, padyshim një propozim real por edhe sfidues për Lulzim Bashën dhe enturazhin e tij mbështetës në të gjitha nivelet. Një parti politike, nuk mund të ekzistojë pa mbështetjen e antarëve, bazës së saj. Kryesia, Këshilli Kombëtar por edhe Grupi Parlamentar, janë produkt direkt ose indirekt i kësaj antarësie. Që të treja këto organe, përfshi edhe kryetarin e të gjitha institucionet e tjera të partisë, janë të përkohshme. E përhershme është vetëm antarësia dhe vullneti i saj nuk mund të anshkalohet, më keq akoma, të nëpërkëmbet.
Lulzim Basha paralajmëroi nisjen e turit për të takuar antarësinë. E filloi çuditshëm e me nxitim në ditët e fundit të 2021- it, ndërsa po afron data 5 dhe 8 janar, nuk ka njoftim për vijim të këtij turi. Arsyet nuk dihen edhe pse mund të hamendësohen pas takimit të Dibrës. Por Basha ka mundësinë ti vazhdojë këto takime përsëri. Sigurisht, jo si kryetar i një pjese (mbase të pakicës në PD) por si një kandidat potencial për kryetar të PD- së, qoftë duke patur përballë edhe Sali Berishën.
Veç institucioneve qendrore të PD- së, Basha ka pas vetes deri tani edhe rreth 60 kryetarë të degëve të PD- së. Është një trupë jo e pafuqishme në bazë, nëse ralisht janë kryetarë që gëzojnë akoma reputacion. Bashkë me Kryesinë apo ish- Kryesinë, Këshillin Kombëtar apo ish- Këshillin Kombëtar, ish- deputetët nga 2013- a deri më sot, Grupin Parlementar aktual, ka një staf të stërmadh për të zbritur në bazë dhe ti bindë me tezat e tij se ai e meriton të jetë në krye të PD- së, edhe përballë Berishës.
Prej 8 vitesh në krye të PD- së, ai dhe njerëzit pranë tij, kanë të gjitha informacionet e nevojshme për organizimin në formë kapilare të partisë, për listat e antarësisë, pikat e forta dhe të dobëta në çdo degë, grupseksion e seksion. Në këtë kuptim, Basha është dukshëm më i privilegjuar se Berisha, nëse do të ketë dëshirë ta sfidojë pararadhësin për postin e liderit të PD- së e opozitës së këtij vendi.
Në Shqipëri, në vendin e çudirave, nuk do të ishte aspak çudi që gjykata të emërojë edhe kryetarin e PD- së e opozitës njëkohësisht. Kanë ngjarë edhe çudi më të mëdha në këtë vend dhe një më shumë apo më pak, nuk e prish rendin e gjërave. Por a mund ta pranojnë demokratët që vendimet për partinë e tyre ti marrë një gjykatë dhe jo ata vetë?! A do të pajtohen ata me vendimin e një gjyqtari “të ftohtë” dhe ti nënshtrojnë vullnetin e tyre përballë vullnetit të një “toge të zezë” që me siguri, nuk është as antar i PD- së (siç e parashikon depolitizimi i organeve të drejtësisë)?!
Lulzim Basha e ka në dotë ta shmangë këtë skenar që sot, pak orë para 5 janarit dhe pak ditë para 8 janarit 2022, vështirë të parashikohet. Edhe duke humbur përballë Berishës, Basha do ti bënte një sherbim të vyer PD- së dhe demokratëve që nga 1990 e deri më sot. Nëse do të fitonte, atëherë Basha do të kishte të gjithë të drejtën e Zotit të bënte me PD- në atë që po bën Rama nga 2009- a e këtej me PS- në. Gjithmonë nëse ai dhe demokratët do të zgjidhnin të njëjtin model për administrimin e partisë së tyre.
Përballje me Berishën dhe këdo që mund ti dalë përballë me parimin “një antar, një votë”. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë rrugë tjetër për Lulzim Bashën. Fitorja me mundshme me procedurë, përmes një vendimi gjykate, vetëm zgjat agoninë e tij dhe të PD- së. Historia na ka mësuar se është më mirë një fund “i tmerrshëm” se një “tmerr” ka fund. Edhe pse krahasimi mund të konsiderohet “non ben trovato”. Është koha të flasin e të vendosin antarët e thjeshtë të PD- së. Të tjerët kanë detyrë vetëm ti binden e të zbatojnë vullnetin e tyre. Qoftë Basha, qoftë Berisha e kushdo tjetër që ka dëshirën ti udhëheqë drejt pushtetit. /Nga Blerti DELIJA/