Në këto orë po vendoset për fatin e qeverisjes së shqiptarëve për vitet që do vijnë. Ngjan e çuditshme, por nuk është e vështirë të hamendësohet. E duam si deri më sot apo e duam ndryshe, më të mirë për ne shqiptarët? Ndërkombëtarët e Tiranës kanë nisur prej ditësh takime të shumta me faktorin ndërkombëtar në vend. Ndërsa sot, skadimi i “afatit” 31 maj për finishin e Reformës Zgjedhore dhe mungesa e një produkti, ka shpeshtuar lëvizjet e takimet. Të paktën për ato të njoftuara apo të verifikuara nga mediat.
Thuasje po përsëritet “inxhe për inxhe” situata e vitit 2017, ajo para 17- 18 majit të famshëm. Ambasadorë këtej e andej Atlantikut, po takohen me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe atë që mazhorancës aktuale Edi Rama. Se çfarë po diskutohet nuk është e qartë, përveç faktit se po bëhet présiòn për një konvergim të palëve në një draft të gjithëpranuar për Reformën Zgjedhor, i cili duhet të kalojë në Kuvend për miratim final.
Duke mos qenë shumë larg 2017- a dhe ajo që pasoi atë periudhë, nuk është e vështirë të kuptohet se ndërkombëtarëve u intereson më shumë stabiliteti se standartet, qoftë edhe ato për zgjedhjet apo edhe demokratike në përgjithësi, nëse doni. Edhe pse për hir të realitetit, edhe pas 2017- ës, nuk është se ky vend ka patur një stabilitet për të marrë shembull. 15 kushtet e vëna nga BE për hapjen e negociatave, janë tregues zyrtar.
Ajo që i intereson shqiptarëve, ashtu siç është normale ti interesojë çdo populli që është pjesë e Europës, duket se ka dale në plan të dytë, pavarësisht deklaravate- statuse- postime në rrjetet sociale.
Pas 30 viteve, shqiptarët duhet të jenë të sigurtë se vullneti i tyre nuk tjetërsohet, nuk cënohet. Duhet të jenë të garantua që vona për X parti politike, të numërohet për Y parti. Kanë nevojë të ndjejnë se ata që do ti qeverisin nesër, janë produkt i vullnetit të tyre dhe jo i thasëve me miell, kanosjes apo shit- blerjes së vullnetit të tyre. Në prag të futjes në paradhomën e Bashkimit Europian, edhe shqiptarët kanë të drejtë të ndjehen si italianët, grekët, gjeranët apo edhe danezët që i plotësojnë fletë- votimet e procesverbalet e qendrave të votimit me laps plumbi, pa patur frikë se mund të përdoret goma nga dikush.
E për ta përmbledhur, sot më shumë se kurrë, shqiptarët nuk duhet të ndjehen të kënaqur se po votojnë “të keqen më të vogël”, pasi e mira duket se i ka kthyer shpinën që në kohën kur mateshin kufijtë e botës e Shën Pjetri e Shën Pali u detyruan të marrin një fill nga lëkura e djallit…
Mos harroni, të gjithë ata që kanë “bekuar” marrëveshje që kanë rezultuar të dëmshme si zgjidhje të përkohshme për këtë vend, nuk jetojnë më në Shqipëri. Pasi kanë marrë zyrtarisht dhe jozyrtarisht shumëçka, ata janë larguar duke lënë pas telashe e halle që na kanë vështirësuar edhe më shumë jetën. Prandaj është domosdoshmëri një qasje tjetër, në kapërcyell të 30 viteve të dështuara në ndertimin e një sistemi që nuk dime çfarë emri ti vëmë.
E për të arritur këtë, të paktën për të nisur rrugëtimin drejt këtij realiteti, është shumë e rëndësishme të rezistohet. Të rezistohet jo vetëm për një karrike më pak apo më shumë. Madje as për 4 apo 8 vite më shumë në qafë të shqiptarëve sepse për qeverisje apo mirëqeverisje, vështirë të ëndërrohet. Të rezistohet në emër të fëmijëve tanë që kanë lindur apo të atyre që presin të vijnë në këtë botë. Të rezistohet në emër të atyre që vdíqën kampeve të perqendrimit të para 1990-ës apo në rrugë, sheshe e trotuare révòltash të pas këtij viti në Shqipëri. Të rezistojmë edhe në emër të dinjitetit tone, për të mos lejuar të trajtohemi si “parcelë eksperimentale” nga askush, vendas apo i huaj qoftë. Qeveritë nuk janë mekanizma për të na sunduar apo vështirësuar jetën duke mbushur xhepa e llogari bankare. Nuk i paguajmë me paratë e taksave tona për të mos na garantuar asgjë, as votën e as jetën tonë.
Ka ardhë momenti ti themi Boll! Boll! Boll! Me çdo lloj çmimi, me çdo kusht! Qoftë edhe të mosqeverisjes së përkohshme të ligjshme të këtij vendi! Nëse nuk e bëjmë, nëse nuk ia dalim të rezistojmë, nga 15-20 mijë në vit mesatarisht që lënë Shqipërinë përfundimisht çdo vit për të mos u kthyer, brenda një dekade në këtë vend do të ngelen vetëm memorialet dhe qiellgërvishtëset që do të popullohen me…kinezë e indianë! /Nga Blerti DELIJA/