Kur ke propagandën si yll polar të punës, e dëshmon vetë, se jo vetëm që nuk merr vesh nga sektori për të cilin paguhesh, por as nuk përpiqesh ta kuptosh znj. ministre e shëndetësisë!
Faktet jo vetëm të thjeshta, por edhe kokëforta janë aty, të dukshme si për personelin mjekësor, ashtu edhe për qytetarët që kanë kaluar vetë, ose kanë patur familjarë a të njohur të prekur nga Covid-19.
Edhe 7 muaj nga pandemia, jeni akoma në nivelet e punës me “do të” dhe ky është një FAKT, që flet më shumë se cdo video e foto propagande!
Vazhdojmë të jemi në bisht edhe të rajonit, për numrin tejet të ulët të testimeve. Të gjithë e shohin sesi në raportimet ditore, ju përvetësoni shifrat e tamponëve që bëjnë spitalet private për nevoja udhëtimi! Që mashtroni cdo ditë opinionin me këto shifra, ky është FAKT!
Që Shqipëria ka numrin më të “vogël” të të infektuarve si personel ashtu edhe qytetarë, kjo vjen sepse ti Ogerta dhe shefi yt po injoroni të infektuarit, duke mos i tamponuar dhe duke mos i evidentuarp! Pra nëse teston aq pak, normal do kesh shifra të “ulëta” të infektuarish! Të mburresh me këtë është paturpësi kriminale dhe ky është FAKT!
Jeni e vetmja qeveri që hapët shkollat pa testuar fare arsimtarët, por i latë në mëshirë të fatit, bashkë me nxënësit dhe ky është FAKT!
Injorimi që u bëhet qytetarëve të infektuar është një fakt po aq kokëfortë dhe I deklaruar publikisht! Shqiptarët që paguajnë për koncesionet tuaja korruptive, po paguajnë nga xhepi trajtimin prej të paktën 1 milionë lekësh të Covid-it në kushte shtëpie! Kjo është kostoja e shëndetësisë “falas” nën regjimin tuaj dhe ky është FAKT!
Bonusin që premtuat për personelin shëndetësor e dhatë për turp në mënyrë selektive dhe prandaj mjekët e infermierët e mashtruar zhvilluan grevë një orëshe, teksa ju u përpoqët në mënyrën më të pacipë t’u mbyllnit cdo hapësirë komunikimi me publikun! Ky është FAKT që e konstatuan vetë mjekët të parët!
Ndërsa rritja që keni muaj që e premtoni është thjesht një përpjekje elektorale e dëshpëruar për të kopjuar programin e PD. Ky është FAKT dhe si cdo kopje, që nuk vjen nga një lëvizje e menduar, po ju ngelet në stilin mashtrues të “do të”.
Se sa të lodhur janë me mashtrimet tuaja jo vetëm mjekët e infermierët, këtë e keni parë qartë në këtë kohë pandemie ku denoncimet janë të përditshme përtej kërcënimeve administrative, që u bëni me marionetat tuaja politike! Dhe ky është FAKT!
Të shpresosh se shqiptarët do pranojnë mashtrimet elektorale, do thotë të besojnë se koncesionet tuaja korruptive, po u japin shëndetësinë falas! /Nga Bardh SPAHIA, ish- deputet i PD Shkodër/