OPINION – Nxitimi i pakuptimtë i Bashës për “vetëgjygjësi” institucionale, përjashton pa folur gjykata rivalët për lidershipin në PD…

Rreth orës 3 të mëngjesit ajo që mund të konsiderohet Kryesia e PD- së zyrtare, ka përfunduar një mbledhje maratonë. U bë e tillë jo për shkak të debateve mes antarëve apo diskutimeve por për shkak të ndërprerjes për ti dhënë mundësi antarëve të jenë në studiot televizive për të mbrojtur kauzën “Basha”, sidomos pas protestës së 8 janar 2022.

Ishte paralajmëruar e në fakt vendimmarrja nuk ishte aspak surprizë. Do të vendosej për fatin e Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, pjesë e Komisionit të Rithemelimit të PD- së. E vetmja masë që mund të merrej për Berishën pas pezullimit nga GP i PD- së, ishte përjashtimi nga Partia Demokratike. E në fakt, ashtu ndodhi. Me vendim të Kryesisë së PD- së zyrtare, Sali Berisha u përjashtua përgjithmonë nga radhët e partisë që bashkëthemeloi në 1990- ën dhe që e udhëhoqi “de jure” e “de facto” deri në vitin 2005. Përveç Berishës, u shkarkuan nga pozicionet politike dhe 9 drejtues qarqesh të PD- së, prej të cilëve 8 janë deputetë mbështetës të ish- kryeministrit.


A u nxitua Basha në këtë vendimmarrje? A duhej të priste legjitimimin e tij nga gjykata ku ka depozituar dokumentacion edhe rivali Berisha? A do ta zbehë apo forcojë “Lëvizjen Berisha” një vendimmarrje e tillë?

Ajo që mund të quhet Kryesi e PD- së zyrtare, ka dyshime të forta për legjitimitetin e saj. Jo vetëm për shkak të akuzave të Berishës por edhe sepse nuk është produkt i institucioneve kolegjiale të para 9 shtator 2021, kur nisi të shfaqej përplasja për lidershipin e PD- së. Ajo u riformatua, duke nxjerrë jashtë sajë mbështetës të Berishës e përfshirë ata të Bashës. Pa folur për procedurën jo transparente të votimit me alternativa, siç e kërkon edhe Statuti i PD- së. Në rastin më të mirë, Kryetari dhe Kryesia duhet të vetëkonsiderohen “të ngrirë” deri në një vendimmarrje përfudnimtare nga gjykatat shqiptare.

Vendimi i Bashës apo i Kryesisë së PD- së zyrtare, është gabim që mund ti kushtojë një tkurrje edhe më të madhe mbështetësve të tyre. Praktikisht, janë shkrarkuar e pezulluar nga funksionet në PD- në zyrtare të gjithë antarët e Komisionit të Rithemelimit të PD- së, me të cilët Basha ka një çeshtje në proces në gjykatë. Pra, Basha nxiton, duke mos pritur shprehjen e drejtësisë, duke bërë të njëjtin gabim si Berisha me 8 janar 2022. Ndryshimi i vetëm, Basha mori një vendim me mbështetësit e tij, një grup i ngushtë i Kryesisë së PD- së zyrtare, ndërsa Berisha në një grup më të gjërë antarësh demokratë përmes një proteste.

Në fakt, kjo e Bashës është edhe lëvizje taktike, në kuadër të protestave të tjera të mundshme të paralajmëruara nga Berisha. Ai do ta ketë më të lehtë që të mbrohet publikisht duke deklaruar se PD po pretendohet apo sulmohet nga ish- antarë të PD- së. Pse jo, duke e cilësuar edhe si agresion të njerëzve jashtë Partisë Demokratike. Me këtë vendi të fundit, edhe Basha futet në rrugën e vetëgjyqësisë, por me një fasadë demokratike vendimmarrje, në të njëjtën linjë si edhe Berisha, të dy pa pritur vendimet e gjykatave.

Dy fjalë edhe për “aktet e dhunës” në protestën e 8 janar 2022, të cilat shërbyen si bazë për përjashtim- shkarkimin e Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit të PD- së. Koncepti i “dhunës” në gjuhën shqipe, lidhet me ushtrimin e saj në dëm të njerëzve. Në kohën moderne, po të doni edhe të kafshëve. Pra frymorëve. Goditja e dyerve të blinduara, hapja apo shpërthimi i tyre, therja e xhamave apo edhe dëmtimi i posterave e banderolave, nuk janë “dhunë” në kuptimin që kjo fjalë ka në shqip. Ato janë dëme, të cilat mund të dëmshpërblehen nga ato që i kanë bërë. Pa rrezikuar asnjë ditë burgosje. Dhunë është ajo e shkopinjve kokës e shpinës ndaj njerëzve, spërkatja me gaz lotsjellës për kafshët e egra, hedhja e lëndës për shuarjen e zjarrit mbi qytetarët, lëshimi i karrigeve dhe tavolinave mbi kokat e protestuesve. Nëse mes protestuesve të 8 janarit 2022, ka patur të paktën 50- 100 antarë të PD- së që shkallmuan dyert e selisë blu, e gjithë fabula e agresinit e ndërtuar nga Basha, bie.

Teorikisht, ajo seli është arreduar e pajisur me dyer të blinduara nga paratë e vetë demokratëve. Përmes kuozitacioneve apo fondeve nga buxheti i shtetit, ato para jepen pikërisht për shkak të antarëve të saj, punës së tyre që solli qindra mijëra vota për PD- në edhe në zgjedhjet e fundit. Ata kanë vendosur të marrin vare, qysqi, matrapikë, “kokëdashi” për të hequr blindet e për ti zëvendësuar me dyer transparente xhami, ashtu siç i kanë patur nga 2013 e këtej. Nëse është ndryshe, pra që “investimet” e kohëve të fundit janë bërë me “para të tjera”, atëherë Basha dhe Kryesia e PD- së zyrtare, kanë të drejtë në veprimet e tyre përjashtuese…

Në fund, edhe disa rreshta “orientues” për Bashën e Kryesinë e PD- së zyrtare. Do të jetë mirë që ajo të qëndrojë e mbledhur në vijimësi. Janë përjashtuar “kokat” e atij që Berisha e quan “revolucion paqësor”. Por ka akoma “grupe antiparti” apo edhe “armiqësore” në bazë. Rast pas rasti, degë pas dege, edhe ata duhen spastruar. Do të jenë përjashtime apo shkarkime, këtë e ka në dorë Kryesia e PD- së zyrtare. Problemi i vetëm është se kur të gjithë këto të përjashtohen apo të shkarkohen sipas rastit, a do të ketë më Parti Demokratike?! Më saktë, a do të ekzistojë Partia Demokratike, ajo që shqiptarët e njohin nga 1990- a?! Apo do të krijohet një parti tjetër me emër zyrtar PD por me përmbajtje tjetër?! Pak a shumë si puna e PS- së që në 2013- ën u shfaq si Rilindje. Por Rama nuk pati nevojë “të lodhet” aq shumë sa Basha sot. “Babait politik” ia mori partinë me votë në 2005- ën dhe “e vrau” pa u mbushur katër vjet. Edhe pse ms humë vonesë, duket se Basha ka vendosur të kalojë në të njëjtat shtigje. Por Berisha dhe Nano nuk janë të njëjtët, as si personalitete dhe as si modele politike! /ShkodraWeb/

Open

Close