OPINION – Nuk ka “pushtues të mirë” apo “pushtues të këqinj”, simbolet që i kujtojnë nuk duhen ripërtërirë…

Nuk ka as më të voglin dyshim se këto rreshta në vijim, mund të ngjallin polemika, debat apo edhe anatemime. Megjithatë, fatmirësisht jetojmë në një kohë që çdokush ka mundësi e hapësirë të shprehë opinionin e tij, pavarësisht gjykimit apo paragjykimit që mund ta pasojë.

Nesër në afërsi të Urës së vjetër të Bunës, do të gur memorial. Do të vendoset i restauruar, pasi koha dhe agjentët atmosferikë kanë patur ndikimin e tyre. Është një shenjë që tregon, sipas disave, kontributin e një pushtuesi gjatë Luftës së Parë Botërore. Realisht, as për Austro- Hungarinë nuk gjej emër tjetër tjetër përveç se pushtues.


Pak a shumë, siç kanë qenë para e pas kësaj periudhe edhe të tjerë që nga osmanët, serbët, malazezët, italianët e gjermanët për të përmendur disa e po të duam të shtyhemi në kohë, edhe romakët. Që të gjithë natyrshëm kanë lënë gjurmë në historinë tonë, të jetën e brezave të periudhave të pushtimit dhe aty që i pasuan.

Nuk jam historian, as si edukim e as si autodidakt. Megjithatë, kam lexuar diçka dhe kam kuptuar se gjurmët e pushtimeve nuk duhetë të përtërihen, restaurohen duke u zgjatur jetëgjatësinë për t’ua kaluar brezave.

Konkretisht, çfarë tregon ai gur memorial që pritet të vendoset nesër në një zonë mjaft të frekuentuar të Shkodrës? Sipas asaj që kam mundur të mësoj, ky “monument” tregon ndërtimin e rrugës Shkodër- Shirokë nga trupat austro- hungareze në harkun 1916- 1917. Tek ai gur janë gdhendur emrat e kompanive që patën këtë “meritë” dhe çdo gjë, për të glorifikuar rolin e një pushtuesi.

Nuk ka as më të voglin dyshim se austro- hungarezët atë rrugë e kanë ndërtuar për nevojat e veta ushtarake dhe jo vetëm. Ishte kohë lufte dhe rrugët kanë rëndësinë e tyre për lëvizjen e trupave dhe mjeteve ushtarake. Shqipëria e Shkodra, ishin pjesë e frontit në përballjen në mes dy kampeve. Përveç austro- hungarezëve, për interesat e tyre kanë ndërtuar rrugë edhe shumë pushtues të tjerë. A do të ishte e logjikshme që për të gjitha të vendosej nga një gur memorial?

Lufta e Parë siç edhe Lufta e Dytë Botërore do të mbaronin, siç edhe mbaruan. Pushtuesit morën me vetë çfarë deshën, plaçkitën, vranë, plagosën e burgosën shqiptarët. Por sigurisht, rrugët nuk mund ti merrnin dot me vete dhe ngelën. Por nuk janë rrugë që u ndërtuan për shqiptarët dhe në interesin e tyre, edhe pse mbase sot e kësaj dite, shfrytëzohen akoma. Një pjesë e konsoderueshme e rrugëve por edhe ndërtesave janë të kohës së pushtimeve të ndryshme në periudha të ndryshme. Nëse do të vendosej për çdonjerën një gur memorial, ky vend do të ishte gjithçka por jo më Shqipëri.

Nga nesër, një gur memorial në Pedonalen e Molos, i shkruar në një gjuhë të huaj, do ti kujtojë atyre që e shohin një nga periudhat e pushtimit të këtij vendit, të Shkodrës. A është monument kulture ai gur, a mbrohet nga shteti, kjo është çeshtje tjetër.

Shumë të huaj kanë apo mund të kenë merita për këtë vend, për Shkodrën e Shqipërinë. Shumë meritojnë edhe buste e memoriale, siç edhe disa duhet të zhduken nga rrugët e sheshet e këtij vendi. Por nuk mendoj se duhet të investohemi në përtëritje të shenjave të pushtimit, pavarësisht “efekteve anësore” pozitive që mund të kenë patur. Shenjat që na kujtojnë direkt ose indirekt periudhat e pushtimit, duhen zhdukur, në rastin më të mirë, të lihen në mëshirën e efektit kohë dhe agjentë atmosferikë, jo të ripërtërihen për t’ ju kaluar brezave. E nëse duam ta ruajmë, nëse mosha e një guri memorial ia vlen të konservohet, fshiheni në ndonjë muze por jo në një nga pjesët më të frekuentuara të Shkodrës.

Nuk është çeshtje nacionalizmi por dinjiteti. Gjykoj se nuk ka pushtues të mirë apo pushtues të këqinj. Sepse të gjithë derrat një turi kanë! Dhe që të gjithë kanë kontribuar që sot të kemi këtë Shqipëri, të cilën përherë e më pak po e duam. E për ta mbyllur këtë opinion modest. Fishta kishte 150 vjetorin e lindjes këto ditë. Shkodra, ku ai zhvilloi aktivitetin që e bëri sot atë Fishtë me të cilin të gjithë krenohemi, vazhdon ta ketë në “gjirin” e saj të personifikuar me disa pllaka mermeri në mes të qytetit, pa i dhënë një fytyrë. Dhe Fishta i dha dhe i la jo pak Shkodrës! /Nga Blerti DELIJA/

P.S. Çdokush që ka një opinion ndryshe, është i lirë ta shprehë dhe është i mirëpritur të publikohet në të njëjtën hapësirë si shkrimi i mësipërm.