OPINION – Nuk është pune berishe, mete apo rame, është çeshtje zgjedhje: Shqipëri apo Albanania Republic…?!

Me dëshirë, nga 1990 e këtej, vit pas viti kemi dorëzuar sovranitet në emër të përfshirjes në familjen e kombeve të zhvilluara, të prirura për të ecur në drejtimin e “fanarëve” ndriçues ashtu siç na e kërkon tradita por edhe nevoja. Kemi pranuar të mësojmë si të ecim, të ndërtojmë institucione, duke mos pranuar ta nisim nga ndonjë pikë referimi, jo 100% negative.

Dakort, shumëzojmë me zero 45 vite komunizëm. Por me të njëjtin herës i shumëzuam pas vitit 1990 edhe vitet nga 1912 deri në 1944. Madje, edhe periudhën kur vinte “era shtet”, të paktën sipas atyre që e kanë jetuar, periudhën e Monarkisë shqiptare. Gjetëm përkthyes, në jo pak raste jo shumë të mirë, e nisëm të shqipërojmë ligje nga të gjitha vendet e botës. Edhe këtu, nuk zgjodhëm një shembull të vetëm por një copë aty, një copë atje, sipas oreksit të këshilltarit përendimor të radhës apo të president- kryeministrit të përkohshëm.


Sot, të paktën përmes rrjeteve sociale, shqiptarët po tregojnë ndjeshmëri të lartë për çeshtjen “Berisha”. Siç ndodh me çdo politikan në botë, ka mbështetës e kritizerë, ka adhurues e armiq të hapur. Dikush po kërkon që fatin e Shqipërisë ta barazojë me Berishën, pasi sipas skemës që po zbatohet, ai është e keqja e këtij vendi. Po nuk u ul në karrige parlamenti në shtator Berisha, vendi shpëtoi. Po u ul ai, rreth 700 mijë shqiptarë që i besuan opozitës me 25 prill, mun të hanë bar.

Në fakt, nuk është çeshtje berishe as rame dhe as ndonjë mbiemri të famshëm të djeshëm, të sotëm apo të nesërm. Është çeshtje sovraniteti. Natyrisht, për aq sa i kemi lënë vetes pas 1990- ës. Sot po flitet për Berishën, nesër për Ramën, ndoshta edhe duke qenë kryeministër. Apo edhe për Metën, si president i vendit.

Në fakt, shteti shqiptar e ka për detyrë të reagojë. Qoftë për përfaqësues zyrtarë të tij por edhe të opozitës. Sipas kushtetutës së këtij vendi, të dy këta komponentë janë shtetformues. Një mëngjes të bukur një ambasador mund të kërkojë largimin e kryeministrit, presidentit, ministrit në detyrë.  A do të kishte reagim nëse një ambasadë e huaj do ti kërkonte PS- së të largonte Edi Ramën nga parlamenti, rrjedhimisht edhe nga posti i kryeministrit?! Sigurisht që po!

Shteti merret “me qira” nga partia/ partitë e radhës që fitojnë zgjedhje. Por ai vazhdon me të drejta e detyrime pavarësisht paraardhësit apo pasardhësit në krye të institucioneve të tij.

E për tu kthyer tek çeshtja “Berisha”. Atë nuk mund dhe nuk duhet ta largojë kerkesa/ presioni i një apo disa ambasadorëve. Ai është shtetas shqiptar dhe si i tillë, i nënshtrohet kushtetutës e ligjeve të Shqipërisë. Nëse është subjekt, i nënshtrohet edhe konventave ndërkombëtare që vendi mund të ketë ratifikuar.

Nikola Gruevski është një ish- kryeministër i Maqedonisë së Veriut, një shtet në pozita të ngjashme me vendin tonë. Ai “çau ferrën” dhe sot është i lumtur dhe i mbrojtur në Hungari, vend i Bashkimit Europian dhe jo i Afrikës. Edhe pse i dënuar në vendin e tij, tashmë ai po hap edhe një biznes për të siguruar të ardhura vetë, duke ia shtuar atyre që përfiton nga statusi si azilant politik. A keni dëgjuar apo lexuar që ndonjë lider i BE- së, i ndonjë vendi të BE- së apo SHBA- së ti kërkojë Hungarisë që ta dorëzojë për të vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut?! Unë personalisht, jo! E pra, nuk jemi as në standartin e Maqedonisë së Veriut, edhe pse Berisha nuk ëa asnjë dënim, asnjë mas kufizuese sigurie, asnjë akuzë publike.

“Non grata” mund të shpallet çdokush. Jo vetëm në SHBA por edhe në vende të tjera, edhe në Afrikë. Natytrisht, ai që shpallet “non grata”, nuk mund të hyjë në vendin që e ka shpallur. Por jeta e tij është normale, me lëvizje si i lirë kudo, me angazhime private, publike, politike e ekonomike.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët zbritën nga mali nëpër qytete, ishin të paktë ata që e besuan se do të instalohej një sistem i tmerrshëm që masakroi shqiptarët e Shqipërinë për 45 vite. Madje edhe më shumë, se pasojat po i vuajmë akoma. E një nga këto të meta të mëdha, është indiferenca apo edhe frika për të ngritur zërin e reaguar kur shohim diçka të keqe që nesër mund të na bjerë ne mbi kokë.

Sot shumë nga ne jemi indiferentë. Jo pak mund të fërkojnë edhe duart nga hareja e gëzimi. Ndoshta edhe vetë brenda PD- së sepse në krahun tjetër është normale deri diku. “Çfarë sheh mbi shokë, prite mbi kokë”, është mësimi që nuk e kemi nxënë për 45 vite diktaturë dhe as 30 demokraci. Nuk është punë berishe, as rame, as mete po të doni. A duam të quhemi Shqipëria apo Albanania Republic (republikë bananesh)? Është çeshtje dinjiteti, sovraniteti, flamuri, historie, krenarie! Nëse janë epitete apo përcaktorë që ia kujtojmë kuptimin… /Nga Blerti DELIJA/