OPINION – Nuk është asnjëherë vonë të lësh duhanin dhe…të ikësh nga ky vend…

“Nuk është asnjëherë vonë të lësh duhanin dhe…të ikësh nga ky vend”. Refreni më ndjek nga pas prej mëse 26 vitesh, periudhë që koençidon me ne fillimin e profesionit të gazetarit por edhe me nisjen e duhanit “me paketë” siç themi ne duhankonsumatorët.


E ky refren buçet ndër veshët e mendjen time, sidomos kur ka ngjarje të rënda, tronditëse, si ajo e pak orëve më parë në zemër të Shkodrës. E kur këto ngjarje pasojnë njëra- tjetrën siç ndodhi brenda kam ditëbve të fundit në Vau- Dejës e Shirokë, refreni gati- gati kthehet në një urdhër për tu zbatuar pa diskutim.

Shpesh herë e themi edhe me zë të lartë, e shkruajmë se ky vend ka marrë rrokupujën. Ose më pasktë, këto 30 vite nuk ka dalë asnjëherë nga rrokupuja ku është zhytur. Apo e kanë zhytur. Është bërë e vështirë të (mbi)jetosh në këtë vend. Vështirësi që shtohet me kalimin e ditëve, muajve e viteve. Vështirësi që askush nuk e di se kur mund të kalojnë.

E vështirësia më e madhe është Jeta! Ruajtja e mbrojtja e saj nga ato që konsiderohet të papritura, edhe kur nuk i ndjell vetë. Shiroka sivjet është piaca e pasdite- darkave të shkodranëve, vendalinj apo turistë, shqiptarë apo të huaj. Dikush nxjerr “alltinë” apo patllaken. Pa patur as frikën e drojen më të vogël. Një kalimtar i rastit, përfundon në spital. Fatmirësisht pa rrezik për jetën. Shteti ku është? Forca parandaluese apo ”frika e ruan vreshtin”, ku është?

Pa shkuar ora 10 e darkës, në një lagje të qetë, ku gati të gjithë njhen me të gjithë, ku njerëzit dalin rrotull pallateve e shtëpijave për të mundur të nxehtin, “kris” kallashi. Një trimëri e pashoqe, ia kalon edhe Eposit të Kreshnikëve me Mujin e Halilin. Edhe pse legjenda thotë se pasi u shpik pushka, ato u ndrznë në shpellë se nuk kishte më vend për burrërinë. Edhe në këtë rast, shteti mungon, thjesht paraqitet për të mbledhur disa prova të mbetura në vendngjarje, për të zbardhur ngjarjen dhe për të ushqyer me informacione mediat e gazetarët.

Mbështet ShkodraWeb Media

Sot, pakkush apo askush po flet për virusin, për Covid-19 të rrezikshëm për jetën. Të gjithë diskutojnë për atë që ndodhi mbrëmë në Shkodër. Ndoshta, edhe në qytete të tjera të vendit. Sepse skenarë të ngjashëm, po kthehen në diçka “të zakonshme” për sytë e veshët tanë. Ashtu siç jemi mësuar me ikjen pa kthin nga ky vend, ashtu siç po mësohemi të jetojmë të zhytur në skamje e varfëri, ashtu siç po bashkëjetojmë me virusin, ashtu siç po izolohemi nga njëri- tjetri duke përdorur si urë komunikimi celularët, ashtu siç po pranojmë të na gënjejnë e rigënjejnë pa pushim, po pajtohemi me idenë se “ngjarje si ajo e mbrëmshmja” apo edhe më herët, ka kudo në botë! E këtu, jemi në limitet e mendjes njerëzore, më saktë, të çmendurisë njerëzore!

Ky vend nuk bëhet! Përtej premtimeve boshe e të rrejshme, 30 vjetët e kaluara janë prova më e mirë! Sepse nuk ka dëshirë, nuk ka kohë, nuk ka misionarë, nuk ka burra shteti! Ka dhe do të ketë (edhe për shumë e shumë vite fatkeqësisht!), individë që e marrin me qira. Po, po, e marrin me qira, si një kopësht që zgjedhin vetë çfarë të bëjnë me të, ku mes të tjerave, vazhdojnë të jetojnë e ushqehen vetëm dele. Dele, që tashmë kanë harruar edhe të blegërijnë!

E çfarë mbetet? Fillimisht, të kërkoj falje. Po, po, falje publike edhe pse sot nuk ka ndonjë vlerë të madhe! Të gjithë atyre që “i mora në qafë” me mosikjen nga ky vend. E di, për shumëkënd duket edhe patetike. Sepse çdo gjë që thuhet e bëhet në këtë vend, nuk mund ti shpëtojë këtij rregulli gjykimi. Sepse të gjithëve ne, ka kohë, shumë kohë që nuk u punon zemra. Sepse truri na ka ikur prej kohësh në drejtim të paditur përmes rrjeteve sociale, celularëve e teknologjisë!

“Nuk është asnjëherë vonë të lësh duhanin dhe…të ikësh nga ky vend”. Është vonë?! Por më mirë vonë se kurrë! Të paktën të shpëtojmë kokën. Tonën dhe të atyre që kemi rrotull nesh! Dhe për këtë, nuk mjafton as një maskë, as distancim social dhe as respiratorë. /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Media 2017 – 2020 © TË GJITHA MATERIALET NË KËTË FAQE MUND TË PËRDOREN LIRISHT NGA INDIVIDË E MEDIA, DUKE CITUAR NGA JANË MARRË. FALEMINDERIT!

ShkodraWeb Channel
ShkodraWeb Marketing