
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës Oltion Luli, ka njoftuar mbledhjen e radhës, e cila parashikohet të mbahet me 7 maj 2025, ora 17.00. Njoftimi vjen vetëm dy ditë pasi kryetari Luli, doli para mediave për të kërkuar që këshilltarët e PD- së dhe të PSD- së, të bëhen pjesë e mbledhjes, teksa ajo e fundit, e datës 8 prill 2025, u mbyll pasi kolegët socialdemokratë dhe demokratë, u larguan nga salla dhe nuk kishte më kuorum për të vijuar.
Rendi i ditës, sipas njoftimit zyrtar të bërë nga kryetari Oltion Luli, është mjafti i ngjeshur dhe ka 12 pika. Pjesa dërrmuese e tyre, janë ato që nuk u shqyrtuan në mbledhjen e kaluar. Ajo që bie në sy menjëherë, është mungesa në rendin e ditës të pikës, që zakonisht është e para, për miratimin e fondit 6% të ndihmës ekonomike për familjet më në nevojë. Si rregull, muaji ka përfunduar dhe kjo pikë, duhet të jetë për tu miratuar formalisht. Kjo pikë, solli që mbledhja e 8 prillit 2025, të paktën të niste, madje duke miratuar dy muaj njëherësh, shkurt dhe mars. Tashmë duhet të miratohet ky fond për muajin prill.
Edhe kjo mbledhje, thirret në fushatë elektorale, madje vetëm, 4 ditë para se të shkohet tek kutitë e votimit. Në publik, ditë pas dite, po konstatohet qendrimi politik aspak dashamirës i PSD- së për PS- në dhe drejtuesit e saj. Ndërkohë, edhe PD e ka konsideruar manovër të pastër elektorale thirrjen e Lulit për tu bërë pjesë e mbledhjes së pritshme. Deri në këtë moment, duket se mbledhja e thirrur zyrtarisht, është e destinuar të mos zhvillohet.
Megjithatë, testi i parë për mundësinë e kësaj mbledhje, është data 5 maj 2025, kur duhet të mblidhen komisionet e Këshillit Bashkiak për të shqyrtuar projektvendimet e ardhura nga administrata. “Siç duken bathët”, edhe me 7 maj 2025, Këshilli Bashkiak nuk do të mblidhet për të miratuar projektvendimet, të cilat për hir të realitetit, janë mjaft të rëndësishme, edhe në kuadër të sezonit turistik veror.
Në fakt, ka edhe një diskutim tjetër, më të shtrirë në kohë. Zgjedhjet e 11 majit do të përfundojnë, do të shpallet fituesi por nuk dihet nëse Këshilli Bashkiak i Shkodrës do ti kthehet normalitetit të punës shpejt, apo duhet të kalojnë disa kohë. Në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, Neni 58, “Shpërndarja e parakohshme e këshillit bashkiak”, përcaktohet se “Kur këshilli bashkiak nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore nga mbledhja e fundit e tij, prefekti thërret mbledhjen e tij, jo më vonë se 20 ditë nga ky afat. Nëse edhe pas thirrjes së prefektit këshilli bashkiak nuk mblidhet, atëherë ai shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave.”. A do të lënë këshilltarët veten në duart e këtij neni apo do të zgjedhin ndonjë mekanizëm tjetër? Mbetet për tu parë.
Në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, PSD ka një rol kyç. Ajo mund të krijojë mazhorancë duke bashkuar votat me PS apo PD, teksa asnjëra nga “të mëdhatë”, nuk ka 26 vota e vetme për të vijuar punën pa socialdemokratët. Kështu që, në vijimësinë e punës së këshillit aktual, PSD mund të konsiderohet “kingmaker”. Por me gjasë, maksimumi pas 11 majit, “ujërat” do të qetësohen dhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës do të ketë mazhorancën e vet vendimmarrëse. Situata aktuale? Periudhë zgjedhjesh, synohet përfitimi maksimal, pavarësisht “dëmeve anësore” të mundshme. /Shënim i ShkodraWeb/