OPINION – Një udhëkryq për rininë, të mendojmë për të ardhmen e Shqipërisë, kështu mendojmë për të…

Një popull që nuk rigjeneron një rini aktive vdes. Duket se në këto hapa po ec edhe Shqipëria. Sot ka humbur interesi ndaj çdo zhvillimi që ndodh. Të gjithë mbajnë sytë nga Perëndimi me shpresën që një ditë do të jenë atje. Po Shqipëria e kujt do të jetë?


Jemi në prag të një kolapsi të madh shoqëror për të cilin askush nuk po shqetësohet. Kjo kuptohet sepse ata të cilët duhet të përgjigjen për këtë gjë u intereson një situatë e tillë. Padyshim asgjë nuk ka ndodhur në një ditë. Rinia sot është e demotivuar të qëndrojë e të formësojë jetën e saj në këtë vend.

Një shtet i cili nuk ka asnjë prespektivë, ku të gjitha rrugët e antarësimit i janë mbyllur, me një klasë politike që vetëm mendon për “çanakun” e saj, si mund ta nxisë një rini të qëndrojë e të kontribojë këtu? Por kjo nuk duhet të na bëjë të drejtojmë gishtin vetëm tek të tjerët pasi edhe rinia vetë ka përgjegjësitë e saj.

Sot po kultivohet në vend një rini indiferente. Interesimi ndaj zhvillimeve që ndodhin është shuar, por edhe reagimi gjithashtu. Kjo situatë është kthyer në një heshtje totale gjë që na kthen shumë vite përpara. Deri në vitet ’90 njerëzit shpresonin se do të vijë një ditë që të gjithë të reagonin ndaj padrejtësive të tyre, ndërsa sot ja kemi mohuar ne vetes këtë mundësi. Qëndrojmë mbyllur në monotoninë e jetës me shpresën që të tjeret të na nxjerrin prej aty.

Ndonëse ky nuk është vetëm problem i rinisë, por i të gjithë shoqërisë sonë. Ne si popull çdo gjë e presim nga të tjerët. Nuk reagojmë sepse ecim me mendësinë që ka të tjerë që do të reagojnë për ne. Kjo padyshim është një ndër arsyet që ne për 30 vite nuk kemi ecur aq sa duhet.

Të reagosh në Shqipëri kuptohet që nuk është diçka e lehtë gjë që është edhe arsyeja, pse nuk reagojmë. Ndjenja e reagimit ndaj padrejtësive buron brenda nesh, por ndryshimi bëhet sesa të aftë jemi ta shfaqim atë. Duke ditur se jetojmë në një shtet me një demokraci të brishtë, me institucione thuajse inekzistente, me politika autoritare, kjo padyshim të bën të stepesh e të mendosh para se shprehesh. Njeriu priret të llogarisë pasojat e veprimit të tij. Këtu ka të bëjë edhe mendësia e mbyllur e shqiptarit i cili nuk pranon kurrë gabimin që mund të kryejë. Në këto kushte kur e ardhmja e buka e përditshme është në duart e të tjerëve, bëhet i vështirë reagimi ndaj tyre.

Rinia nuk duhet të heshtë. Duke u cilësuar si e ardhmja e vendit, ajo duhet të marrë përsipër çdo pengesë pasi në fund e gjithë kjo bëhet për një jetë më të mirë. Shqipëria sot ndodhet në një udhëkryq politik e gjeostrategjik. Me një Evropë që duket se i ka mbyllur dyert, me ca politika rajonale naive, me një ekonomi në rënie e me një popull që po largohet, pozitat e saj janë mjaft të vështira. Në këto kushte rinia duhet të gjejë kurajon e të reagojë. Të kthehet në një dritë shprese për të gjithë këtë popull që duket se ka pranuar fatin e tij e nuk bën asnjë përçapje për ndryshim. Reagimi në këto kushte ku ndodhet vendi, kthehet në obligim. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të mos llogarisim pasojat personale, por të mendojmë për pasojat që do përjetojë Shqipëria nga mosreagimi.

Besoj se sot ndodhemi në një moment, ku ndasitë duhet t’i lëmë pas dhe të tregohemi të gjithë më altruist duke menduar për të ardhmen. Çdokush, duke përfshirë edhe ata që largohen duan që të jetojnë në Shqipëri, por jo në këtë Shqipëri. Ajo ç’ka ne duam nuk mund të realizohet vetë pa kontributin e secilit nga ne. Prandaj po nuk filluam të reagojmë që sot, nesër do të jetë me të vërtetë vonë. Kjo klasë politike këtë dëshiron, prandaj sot më mirë të mendojmë për të ardhmen e Shqipërisë sepse kështu do të mendojmë edhe për të ardhmen tonë. /Nga Kolindo VJERDHA/

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!