
Kufiri gjeografik i ndarjes së dialekteve kryesore Gegë e Toskë, ka qenë lumi Shkumbin. Mbi të, ishte zotëruese Gegnishtja me nënvariantet e saj dhe poshtë saj, Toskërishtja po me nënvariantet e saj. Fiks si shqiponja jonë, edhe gjuha shqipe ka dy “koka” që janë dialektet kryesore të saj.
Që në hapat e parë të shkrimit dhe gjurmimit të Shqipes, dokumentet flasin Gegnisht. Edhe deri në vitin 1972, madje edhe disa vite më pas, përsëri ky dialekty ishte mbizotërues jo vetëm në përditshmëri por edhe në “gjuhën” e institucioneve shtetërore. Ky vit, rreth 28 vite pas ardhjes në pushtet të komunistëve, shënoi edhe fillimin e zhdukjes me ligj të dialektit Gegë. Kjo, në emër të një nisme për unifikimin e një gjuhe standarde në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët anëkënd botës.
Realisht, ishte një nismë që meriton respekt, nën shembullin e të gjitha kombeve apo shteteve. Tekstet e gjuhëformimit, duhet të jenë të unifikuara, me rregulla të njëjta, si një znafillë për ruajtjen e identitetit kombëtar. Por qartas, Kongresi i Drejtshkimit i 1972- it, ndoshta edhe nën ndikimin politik të kohës, thuajse e zhduku Gegnishten, përveç rasteve kur Toskërishtja, nuk kishte alternativa. Një nga më të famshmet, “krye” për të evidentuar Kryeministër pasi Kokëministër nuk kishte asnjë kuptim. Ndoshta edhe për shkak të traditës por edhe të faktit se në kushtet e izolimit të gjithanshëm, “prime minister” apo “Ministri i parë” që daton që në shekullin e 17- të me kardinal Rishelienë në Francë, ishte “ndikim i huaj”.

Pas 1990- ës, pati disa nisma për ta rihapur derën e kyçur të Kongresit të Drejtshkrimit 1972 por që të gjitha pa shumë sukses, edhe pse të paktën për 13 vite, ky vend qeverisesj nga përfaqësues “DOC” të Gegnisë. Të paktën të shfaqur si të tillë. Tani, “dashnorët” e Standardit, nuk është çudi të kërkojnë që Gegnishtja të mos flitet fare në institucionet shtetërore. Nga ana tjetër, fatkeqësisht, edhe tekstet e shkruara në Gegnisht, krahasuar me ato të Standardit, janë shumë, shumë të pakta. Kështu që, me kalimin edhe të pak viteve, me trysninë që mesa duket do të vijë duke u shtuar, Gegnishtja rrezikon të zhduket krejtësisht, duke mbijetuar disi vetëm në përdorimin e përditshëm. Edhe ky, mes emigracionit të lartë që shkon në favor të njohjes e zotërimit të gjuhëve të vendeve ku jetohet, trysnisë së Standardit përmes institucioneve, rrezikon të minimizohet vit pas viti. Aq më shumë, kur dyert e kyçura të Standardit, nuk po e merr mundimin askush ti hapë për hyrë diçka nga Gegnishtja.
Në këto kushte, ndoshta ka ardhur momenti që situata të rregullohet me ligj. Ata që e përdorin Gegnishten apo ndjehen Gegë në Kuvend e institucione, duhet të marrin një nismë ligjore për njohjen zyrtare të Gegnishtes si një nga variantet kryesore të Shqipes, të marrin me ligj të drejtën e përdorimit në institucione shtetërore dhe madje, të ketë një institut apo diçka të ngjashme që të garantojë vijimësinë.
Thuajse futemi në skenarët e këtyre ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut për peripecitë e gjuhës shqipe dhe moslejimit të perdorimit të saj nga shqiptarët, të paktën studentët. Ngjason edhe cinike, që në Shqipëri të hidhet ideja e një ligji për zyrtarizimin dhe ruajtjen e Gegnishtes por në fakt, është e duhet të jetë detyrim. Sot, mbi 70% e atyre që flasin Shqipen, pavarësisht ku jetojnë, përdorin dialektin Gegë apo nënvariantet e tij. Por a do të jetë kështu pas 50 apo 100 viteve? Premisat nuk janë aspak optimiste, aspak të mira! Të paktën për hatër të Deklaratës së Pavarësisë në 1912, Gegnishtja do të duhej të merrej më shumë në konsideratë! Sepse Kongresi i Manastirit që na dha Alfabetin latin që kemi sot, lindi pikërisht nga mendja e Gegëve, mes të cilëve edhe Luigj Gurakuqi i Pavarësisë 1912. /Nga Sokol N. SOKOLI/





