
Andej nga fillii i shtatorit që lamë pas, dolën në sipërfaqe mosmarrëveshjet në mes ministrit Sandër Lleshaj dhe kryeministrit Edi Rama. Pak ditë më pas, në Shkodër, Lleshaj bëri një prapa- ktheu, duke u tërhequr të paktën publikisht nga pohimi i tij “nuk do të jem më ministër”.
Ministri që publikisht e pohoi se ka bërë një marri duke pranuar detyrën në 2018- ën, indirekt pranoi se po i bënte një shërbim Edi Ramës dhe mazhorancës së tij.
Është dukur e pakuptimtë që një gjeneral ushtrie, një personalitet i FA, të dorëzojë spaletat në Presidencë për të marrë një portofol të përkohshëm duke “ecur në një fushë të minuar herët, që nga dita e krijimit të shtetit shqiptar”, siç shprehet vetë në letrën e dorëheqjes.
Një person madhor, i aftë mendërisht, nuk ka asnjë motivim tjetër për të ndërmarrë një “marri” përveçse ti bëjë një shërbim dikujt/disave. Në këmbim të çfarë?! Kjo akoma nuk është zbuluar ose më saktë, akoma nuk ka dalë në sipërfaqe. Sepse në këtë vend, vështirë të fshihet diçka për shumë kohë.
Historia e karriges së ministrit të brendshëm në këtë vend, është tragjike. Nga ditët e para të shtetformimit, fati më i mirë të cilit mund ti jetë gëzuar një ministër i brendshëm, është pikërisht dorëheqja. Edhe pse në rastin e Lleshajt, indiciet logjike bazuar në deklarimet e publikimet, anojnë më shumë nga një shkarkim i paraqitur si dorëheqje.
Tentativa për ta konsideruar veten si Padër Anton Harapi të kohëve moderne apo edhe si i përkushtuar për të bërë shtet në këtë vend, nuk i shtojnë asnjë vlerë kohës së qëndrimit në karrigen e rëndësishme Sandër Lleshajt. Largimi i tij nga detyra (dorëheqje apo shkarkim?!) erdhi pas një ngjarje shumë të rëndë, e cila sipas gjasave për shumë kohë, do të asoicohet me emrin e tij por edhe karrierën e tij të mëpastajme. Nëse do të ketë më një të tillë.
Qindra orë video të protestave, ku Policia e Shtetit sillet me qytetarët si paramilitarët e Pinoçetit në Kilin e viteve ’80, tonelata ujë, gazlotsjellës e spray, shkopinj gome e gra e fëmijë në lot, vështirë ti krijojnë lehtësi në rrugëtimin e tij. Edhe pse në fakt, vazhdojmë të jemi popull me kujtesë blic.
Ajo që duhet pritur me durim, lidhet me fatin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas gjasave, Ardi Veliu do të qendrojë në detyrë deri në emërimin e një ministri të ri të brendshëm. Veliu duket se nuk u shkarkuar përnjëherë me shefin e tij politik, edhe për të mos krijuar vakuum në “zinxhirin komandues” të Policisë së Shtetit në një periudhë delikate protestash. E nëse Veliu do të vazhdojë të qendorë në detyrë edhe pas emërimit të një ministri tjetër, atëherë shkarkim/ dorëheqja e Lleshajt lexohet si “larje hesapesh” politike brenda mazhorancës.
Tashmë, Sandër Lleshaj është një thuajse i papunë VIP në këtë shtet. Për shkak të pozicionit të rëndësishëm që mbajti, do të ketë një trajtim kalimtar të privilegjuar. Mbi supe, do të jetë i detyruar të mbajë gjatë, shumë gjatë, edhe barrën e përdorimit me dëshirë në funksion të qëllimeve të një kryeministri me timon në dorë por pa frena tek këmbët! /Nga Blerti DELIJA/