
Ajo që ishte paralajmëruar edhe nga ne, ndodhi. Thomas Brdariç nuk është më trajner i Vllaznisë. Pas humbjes me Tiranën në “Loro Boriçi”, klubi kuqeblu ka ndërprerë marrëdhënien me teknikun gjermanin, në sezonin e dytë tek Vllaznia. Shenjat e arrogancës u shfaqën edhe më herët, por duket se “vulën” ia vuri në konferencën për shtyp me gazetarët shkodranë pas humbjes me Tiranën. Ishte e qartë se Brdariç nuk kishte më çfarë të jepte, mes të tjerave, me frikën e krijimit të familjaritetit, të shprehur në besimin e tepruar tek disa futbollistë, duke anashkaluar të tjerë. Rasti më flagrant ndoshta, braziliani Kaina që u la në stol tek Vllaznia dhe ka shënuar 5 gola tek Kastrioti deri tani ku u huazua në janar.
Brdariç, në vend të krjimit të qetësisë tek ekipi, me pasthirrmat e grindjet proverbiale me arbitrat, ndikonte për keq edhe tek skuadra. Por tashmë “era Brdariç” është kapitull i mbyllur tani për tani tek Vllaznia. Klubi kuqeblu, ka vendosur që trajneri Elvis Plori, të drejtojë ekipin në ndeshjet e mbetura të kësaj Superlige.
LEXONI EDHE: Ndoshta nuk dorëhiqet apo nuk e shkarkojnë por sezonin tjetër duhet gjetur një zëvendësues për Thomas Brdariç
Është një lajm i mirë, pikë së pari sepse një djalë Shkodre vendoset në krye të Vllaznisë. Askujt nuk i rreh zemra më me forcë për kuqeblutë se një shkodrani, i krijuar si futbollist por edhe si trajner në familjen e madhe me emrin Vllazni.
43 vjeçari që u aktivizua tek Vllaznia e rritur si mesfushor për dy sezone, me 28 ndeshje gjithsej, e kuptoi shpejt se e ardhmja e tij do të ishte fusha e blertë, por më shumë pozicioni i trajnerit. Në fakt, ai e nisi në sezonin 2010- 2011 si ndihmës trajner pikërisht tek Vllaznia, ku në 2011- ën iu besua edhe pozicioni i trajnerit.
Nga ajo periudhë, pa ndërprerje, Plori ka drejtuar disa ekipe si Burreli, Terbuni, Kastrioti, Besëlidhja. Madje me këtë të fundit, sfidoi Vllazninë për qendrimin në Superiore në sezonin 2019- 2020. Kudo ku ka drejtuar, Plori ka treguar profilin e një trajneri punëtor, të palodhur që synon vendosjen e aftësive individuale të futbollistëve në sherbim të ekipit dhe synimeve të tij.
Me ardhjen si sponsor tek Vllaznia i Alban Xahferit në sezonin 2020- 2021, Plori do të bëhej pjesë e Vllaznisë si trajner i parë, ndërsa kryetrajner do të ishte Thomas Brdariç. Në këtë sezon, Vllaznia rivalizoi deri në fund Teutën për titullin kampion teksa fitoi Kupën e Shqipërisë. Edhe në sezonin e dytë, pikërisht këtë që po vazhdon, u konfirmua i njëjti staf teknik, me përjashtimt të Safet Osja që u largua pasi nuk pati marrëveshje me klubin për pjesën financiare.
Elvis Plori e njeh shumë mirë ekipin aktual, ka punuar me një pjesë të tyre prej mëse dy vitesh dhe kështu, duhet ta ketë të lehtë të vijojë punën pas largimit të Brdariç. Nga ana tjetër, pjesa më e vështirë për Plorin do të jetë ajo psikologjike. Largimi i çdo trajneri në këtë pikë të sezonit, krijon probleme tek futbollistët por edhe grupi në këtë aspekt. Por megjithatë, ai do ta ketë më të lehtë se çdo trajner tjetër që mund të vinte tek Vllaznia në këtë pikë të kampionatit.
Pavarësisht të gjithave, cilësive individuale, përgatitjes, eksperiencës rreth 12 vjepare të trajning, Plori nis një sfidë për karrierën e tij. I urojmë suksese trajnerit Elvis Plori në këtë detyrë aspak të lehtë, sidomos në drejtimin e ekipit që i dha mjaft dhe që të gjithë presin që ky djalë Shkodre, të fillojë t’ia kthejë, nga nesër. /Nga Blerti DELIJA/




