Ka disa orë që një farë Dritan Abazoviç apo Abazoviq po ngazëllen të gjithë shqiptarët këtej kufirit me Malin e Zi. Ai është “king maker”- i i ri në republikën fqinje ose siç i themi ne, “ai që bën pilafin” në realitetin e ri malazez.
Po krenohemi të gjithë deri në delir, a thua se me “pilafin” që po bën në Malin e Zi, do të shpëtojë edhe Shqipërinë. Në fakt, gjuha e përdorur edhe ditën e sotme duke përdorur togfjalësha “Sparta Serbe” apo “Shqipëria e Madhe” për të garantuar paprekshmërinë e interesave të Malit të Zi, tregon qartë se më shumë se gjâk shqiptari, në dejet e tij qarkullon me bollëk demagogji e kuptueshme populiste.
Për disa ditë, u bë i famshëm me deklaratën e tij “Skenderbeu me babë e nanë serbe”, të cilën e ridimensionoi duke u justifikuar me nxjerrje nga konteksti. Edhe URA e tij, nuk është asgjë më shumë se një konglomerat edhe etnish. Krijesa e tij më e fundit, është e treta ku ai ka provuar të bëjë karrierë politike, në fakt jo të pasuksesshme deri sa nga 2012-a është pjesë e parlamentit malazez. Madje, në legjislaturën e parë, edhe si më i riu në moshë.
Katër mandatet e tij “të arta”, kanë forcën e “king maker”- it apo atij që “bën pilafin” në Malin e Zi, në kuptimin e krijimit të një qeverie të re. Por në fakt, deri tani të paktën, nuk del përtej politikanit ballkanik, po të doni, edhe me prapashtesën “shqiptar”. Nuk ka dyshime se karriera politike, është qëllim në vetvete edhe për Dritanin. E nuk ka asgjë të keqe. Përdorimi i taktikave populiste, me kosto dhe mohimin e gjenezës etnike, e njehson me si gjithë të tjerët e sojit të tij të politikanëve.
Nga një hulumtim i thjeshtë, konstaton lehtësisisht se nuk ka shumë dëshirë të artikulojë origjinën e tij shqiptare dhe gati asnjëherë, nuk artikulohet në gjuhën amtare.
Natyrisht, edhe këto rreshta janë një opinion. Jo aq për të përcjellë atë pak informacion që ka deri më sot për Dritanin, por për të frenuar sadopak ngazëllimin e pakuptimtë të shqipove këtej në anët tona. Historia jonë ka treguar me fakte të shumta se, shqiptarët kanë qenë bashkëpunëtorët më të zellshëm deri në “masha” të rivalëve, kundërshtarëve e armiqve të vetë shqiptarëve e interesave të Shqipërisë.
Sigurisht, ky nuk është një parashikim për Dritanin, por është një thirrje publike për rikthim në rrënjët e të parëve. Duke nisur nga krenaria e origjinës etnike. Gjithsesi, suksese Dritan! Sprova e vertetë nis tani! Por me apo pa ty, shqiptarët në Malin e Zi, Ballkan, Europë e Botë do të arrijnë aty ku duhet, aty ku e meritojnë! Ndoshta URA e tij do të ishte më e vlefshme nëse do të bashkonte 5% që shqiptarët përbëjnë zyrtarisht brenda Malit të Zi. Qoftë edhe me kosto. Me koston e mospasjes së rolit të “king maker”- it të një qeverie, e cila që në nisje paragjykohet si filo- serbe, filo- ruse. Dhe jo nga shqiptarët… /Shënim i ShkodraWeb Media/