Dua të flas për tekstet e këtyre dy këngëve, sepse çdo vit diskutohet teksti i këngës, e megjithatë problematika bëhet më agravuese, sikur bie në vesh të shurdhër dhe nuk merret asnjë masë për ta përmirësuar këtë dukuri negative, kur kënga jonë në vite ka pasur tekste shumë të bukura të shkruara me frymëzim nga poetë e tekstshkrues të talentuar.
Kënga është teksti dhe kjo duhet të merret vesh një herë e përgjithmonë. Jo çdokush di të bëjë tekst apo ta marr përsipër këtë mision. E kam fjalën, veçanërisht edhe për kantautorët. Në këngët e tyre shfaqen tekstet me vargje të dobëta. Tekstet e tyre janë pa fabula, dhe vargjet sillen tematikisht: pikëllimi, ndarja, ëndrra, dashuria e premtuar apo zhgënjimi, unë të pres… etj.
Kënga e kënduar nga Elsa Lila, realisht nuk kishte fabul. Ajo ishte një ndjesi dhe i drejtohej Evitës. Pavarësisht që fjala Evita përmendej shumë herë, nga ana e këngëtares u këndua përmes një ndjenje me një zë të ngjirur, shqiptoheshin fjalët jo të plota dhe nuk kuptohej asgjë. Kësaj radhe Elsa ishte një këngëtare shkronjëngrënëse. Pra, në një tekst kënge fjala duhet të jetë e plotë, me artikulimin dhe ngjyrimin e saj që e meriton.
Ndërsa kënga e kënduar nga Albina Këlmendi dhe familja e saj, kishte një tekst interesant harmonizohej me muzikën mjaft bukur, por kishte një të metë të madhe; fjalët e përdorura kishin ndërtimin dhe përdorimin e një gegërishte primitive. Kjo është e pafalshme dhe e patolerueshme. Gegërishtja ka ndërtim morfologjik, leksikor dhe sintaksor. Nuk i jepet e drejta askujt që për hir të muzikës ta shëmtojë bukurinë e gjuhës shqipe, në rastin tonë të Gegërishtes. Dimensionet e saj kanë mrekullinë e shpirtit.
Të tilla modele nuk duhen të shfaqen as në Festivale apo te Kënga Magjike, apo…, sepse deformojnë dhe shtrembërojnë shijet etike dhe estetike dhe nuk sjellim vlera të vërteta që i dëshirojmë dhe i presim… /Nga shkrimtari Xhahid BUSHATI, publikuar në Facebook/