
Nuk asht hera e parë. Por Rrjolli po difton diçka që shumëkush nuk do me e pranue: kur përballë qytetarit të ndershëm rreshtohet pushteti, lind dyshimi se politika po qëndron ma afër interesit sesa banorit.
A duhet banorët që kanë votu, që kanë besu, me u ndje të pambrojtun? A janë këta njerëz? A meritojnë përkrahje politike kur mbrojnë pronën e vet?
Këto janë pyetje që nuk i përkasin vetëm Rrjollit. I përkasin krejt shoqnisë. Banorëve të Rrjollit, që po protestojnë kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulaj në tokat që i konsiderojnë të tyret, u janë bashkuar qytetarë nga Vlora e Mallakastra. Kjo tregon se njerëzit po e kuptojnë: kur cenohet prona e njërit, rrezikohet prona e të gjithëve.
POPULLI KA KALU SHUMË REGJIME
Ky popull ka kalu monarki, diktaturë, tranzicion. Ka pa vëlla kundër vëllait “në emër të partisë”. Ka pa pushkatime, internime, ndasi. Nora e Kelmendit nuk asht thjesht figurë legjende- asht simbol i qëndresës së nderit. Koha duhet me na mësu diçka: njëni-tjetri ka ma shumë randësi se një thes miell për me mbajt dikë në pushtet. Asnjë parti nuk vlen ma shumë se dinjiteti i qytetarit.
POLITIKA DHE PËRGJEGJËSIA
Nëse politika shihet si kundër qytetarit, atëherë duhet reflektim. Sepse politika duhet me qenë në shërbim të njeriut – jo njeriu në shërbim të saj. Rrjolli nuk asht çështje e majtë apo e djathtë. Asht provë se sa vlen vota, sa vlen fjala, sa vlen qytetari.
BASHKIMI ASHT FORCË
Thirrja sot nuk asht për urrejtje. Asht për bashkim me njerëzit e ndershëm. Zoti na mëson se drejtësia dhe dashnia për njëni-tjetrin janë mbi çdo interes. Nëse ne vazhdojmë me u nda në parti, në krahinë, në fe – do të jemi gjithmonë të dobët. Nëse bashkohemi për të drejtën, askush nuk na përçan.
MESAZHI
Rrjolli nuk asht vetëm. Asht ndërgjegjja e një kombi. Sot kërkohet transparencë. Sot kërkohet drejtësi. Sot kërkohet që politika të zgjedhë: me qytetarin apo me interesin. Sepse kur shtypet i ndershmi, lëkundet themeli. E kur lëkundet themeli- rrezikon gjithçka. /Nga Paulin MACAJ, dërguar për publikim në ShkodraWeb/




