OPINION NGA MIGENA LIKA – Të njoh aq sa kam arritur të njoh veten…

I veshim fjalë dhe epitete të tjerëve si të ishin rrobat më të përshtatshme për ta. Shkujdesemi kur mendojmë dhe flasim sepse harrojmë që jetojmë në një shoqëri komplekse ku e drejta dhe e mira për ne mund të mos jetë e dikujt tjetër. Ecim në rrugët e qytetit dhe nuhasim fjalë të të tjerëve dhe aroma e tyre na përshkon trupin pa as më të voglën mundësi për ta larguar nga vetja.

A mendoni ndonjëherë që sjellja juaj dhe konceptimi për realitetin nuk i rri mirë lëkurës së dikujt tjetër? Vazhdoj të theksoj diçka…Ne e njohim tjetrin aq sa kemi arritur të njohim veten. Është e vështirë të jesh pjesë e një shoqërie ku gjykimi ndaj të tjerëve është kryefjala e të përditshmes, por a e keni menduar se kjo mund të ndryshojë duke filluar nga vetë ju?


Keni hyrë ndonjëherë në subkoshiencën tuaj? Çfarë keni gjetur aty? Një perfeksion të imperfektes e të qënurit ju. Kush është personi që rri shtrirë brenda teje? Kush je ti ? Kush je ti kur të tjerët nuk të njohin? Mësojeni zemrën dhe mendjen të jetojë në pëlhurën e vetvetes. Mësojini vetes se kush je ti me të vërtetë. Tregojini kohës kush jeni ju. Mësojini të tjerët të kuptojnë se koha jote është më e rëndësishme se pavlefshmëria e mendësisë së çdokujt. Mësojini të tjerët se ajo që je ti është pasqyrim i karakterit, mendësisë, vlerave, kohës, zgjedhjeve tërësisht të tuat.

Uluni në tavolinën e mendimeve dhe servirini vetes më të mirën që shpirtin tuaj jua lartëson. Servirini vetes qetësi, motivim, pozitivitet, ndershmëri, dinjitet. Mos u ngopni asnjëherë dhe ftoni në tavolinën tuaj mendje që pikturojnë tablo me të njëjtat ngjyra si ju. Mos u shqetësoni për ata që tablonë tuaj e shohin abstrakte. Fundja janë të paktë ato që mund të jenë pjesë e shpirtit dhe vetes tënde. Jetoni jetën në realitetin tuaj që në fund të jeni krenare për të. Jetoni jetën tuaj në mënyrën tuaj më të mirë dhe mos harroni se ne duhet të japim aq sa do donim të merrnim. /Dërguar për publikim në ShkodraWeb nga Migena LIKA/