OPINION NGA MIGENA LIKA – Rinia pikënisja ku fillon rruga për në BE, njësoj si fillon dhe jeta e çdo krijese…

BE është parë gjithmonë si një e vërtetë e paprekshme dhe shumë e rëndësishme per Shqipërinë. Ajo shënon një “Biletë” të zgjidhjes për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht, ne të rinjtë që jemi vazhdimi dhe rimëkëmbësit e këtij vendi.

Unë jam një studente dhe mbështetur në përceptimet dhe kontaktet e përditshme me një temë kaq aktuale, mendoj se Bashkimi Evropian është para së gjithash i lidhur me cilësinë e jetës, në një komunitet që kujdeset për të gjithë anëtarët e vet pavarësisht nëse ata janë të fortë apo të dobët, ambiciozë, të talentuar, të sfiduar, të rinj apo të moshuar.


BE-ja është liria jonë… Kaloi një shekull që nga shpallja e pavarësisë, por ky vend akoma nuk e gjeti shkëlqimin e asnjëherë nuk e pati një periudhë të artë e prandaj them se anëtarësimi në BE është zgjidhja e nënshtrimit e të gjithë viteve që ky vend pati nën kthetrat e pushtimeve e më pas të komunizmit e për të vazhduar me demokracinë “e lirë”.

Pak nga pak besoj dhe jam e bindur se duke sjellë breza të përgatitur, të vendosur, të frymëzuar, të arsimuar, dhe të dashuruar me tokën e tyre do arrijmë një ëndërr të unifikuar në çdo shpirt të çdo shqiptari, një Shqipëri ashtu si duhet të jetë, ashtu siç e kemi lexuar në vargjet e poetëve tanë. Migjeni vazhdon të jetë në jetë edhe ditët e sotme sepse çdo brez do të ketë mallëngjim dhe një zemër që rreh e fshehur për fjalët e poezisë “Na birtë e shekullit të ri”: Na të birtë e shekullit të ri, me hovin ton e të ndezun peshë, ndër lufta të reja kemi m’un deshë dhe për fitore kem’ me ra fli.”

Mbajini gjallë ëndrrat e rinisë”, një shprehje e Friedrich Schiller, kompozitorit, poetit dhe artdashësit gjerman, na jep një mesazh shumë të vërtetë, sidomos për historinë e popullit shqiptar.

Ne të rinjtë kemi guximin, idealin dhe dëshirën për t’i bërë idetë më të pamundura në reale dhe të prekshme. Ne jemi rruga drejt integrimit dhe si rrjedhojë kemi një raport dhe lidhje të ngushtë me BE.

Bashkimi Evropian është porta hyrëse drejt një marshi të ri zhvillimi. Për të rinjtë dhe grupmoshat e reja hapen dimensione dhe mundësi për t’u shfrytëzuar duke nisur nga arsimimi e deri te punësimi. Kuptohet që investimet e huaja janë kryefjalë e atraksioneve mbi të cilat ngrihen dëshirat e shteteve për t’u bërë pjesë. Ne si të rinj jemi fryma reformuese që duhet të synojmë në punën tonë të përditshme realizimin e aspiratave të përbashkëta. Padyshim situatat dhe klima politike nuk është në lartësinë e pritshmërive ama ajo duhet të jëtë në sinkron me një endërr 30 vjeçare të këtij populli.

Ne jemi pikënisja ku fillon rruga për në BE njësoj si fillon dhe jeta e çdo krijese me ndarjen e kromozomeve dhe krijimin e zemrës. Ne jemi pasqyra e së ardhmes që e prêt një shoqëri. Le të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian për të pasur një zhvillim demokratik e më të mire për këtë popull liridashës e të dashuruar me Europën. /Nga Migena LIKA, dërguar për publikim në ShkodraWeb/