
35 vjet më parë, komunizmi kishte rënë në çdo vend të Europës. Në Shqipëri populli nuk ishte ngritur në asnjë revoltë(përveç 2-3 incidenteve). Pa disidencë politike, me një klasë intelektuale të vënë në shërbim të diktaturës dhe një popull të skllavëruar, këtu askush nuk kishte në plan të rrebelohej kundër komunizmit. Përkundrazi, ishim gati të merrnim armët ta mbronim. Në Bukuresht çifti Çaushesku ishte pushkatuar publikisht dhe kasta komuniste në Shqipëri nisi planin për të “rënë” në mënyrë të kontrolluar. Me tri qëllime: Të shpëtonte kokën: Të vazhdonte të kontrollonte pushtetin politik: Të kapte pushtetin ekonomik në sistemin e ri.
Perëndimi provokoi “krizën e ambasadave” për të stimuluar rënien e komunizmit në 2 deri në 13 Korrik. Por edhe kjo nuk e shkundi regjimin. “Intelektualët e guximshëm”, mbështesnin demokratizimin e vendit, por sipas porosive të shokut Ramiz dhe Pleniumit të 10-të.
Pastaj erdhi dhjetori ‘90, kur “revolucioni” u ul në gjunjë para diktatorit dhe i kërkoi leje të bënte një parti. “Patjetër – tha shoku Ramiz – ju bëni partinë tuaj, ne kemi tonën. Pastaj bëjmë garë. Ky quhet pluralizëm dhe demokratizim”- këtu lindi dhe vdiq demokracia jonë. Pjesa tjetër është histori që e vuajmë ende.
Ne ishim vendi i vetëm që nuk e shembëm regjimin, thjeshtë e transformuam diktaturën e një biçim demokracie, ku të njëjtët njerëz u shpërndanë në shumë parti.
Por ka edhe një gjë tjetër, edhe më të dhimshme:
Ne nuk rrebelohemi kundër regjimeve, apo kundër qeverive. Ne zgjedhim të ikim. Mbi 5,000 shqiptarë u arratisën përmes ambasadave, ndërsa popujt e tjerë dolën në rrugë.
Në mars 1991, kur diktatura fitoi edhe zgjedhjet demokratike, ne rrëmbyem anijet, dhe nisëm ikjen e madhe “biblike”. Pastaj rrmëbyen gomonet, kamionët, morëm malet dhe detet në këmbë….. dhe ende vazhdojmë.
Popujt e tjerë, kur revoltohen me qeveritë, ose dalin në rrugë dhe i rrëzojnë me protesta, ose i rrëzojnë me vota. Ne ikim! /Nga Mentor KIKIA, publikuar në Facebook/