
Edhe pse nuk e kam njohur nga afër djaloshin efektiv të FNSH-së Xhulio Prela, ngjarjen e ndarjes nga jeta të këtij të riu e përjetova në ambjentet e urgjencës së Spitalit Rajonal të Lezhës. Ishte rreth orës 03:30, kur së bashku me tim bir 4 vjeçar për arësye shëndetësore iu drejtova Urgjencës së Spitalit.
Sapo ndaluam tek oborri para urgjencës, kuptova se diçka kishte ndodhur por jo kaq tragjike, s’e mendoja. Furgoni i policisë pranë urgjencës, ishte një ogur jo i mirë. Sapo hyn në urgjencë, ç’ të shihje fytyra të mavijosura të efektivëve të policisë të Lezhës të pikëlluar nga vdekja e kolegut të tyre.
Trishtim i madh për të gjithë, madje për pak momente e kisha humbur mendjen se pēr çfarë kisha shkuar në spital. Im bir më solli në vetë duke më tërhequr nga dora dhe duke më thënë: “Mami jo këtu, jam mirë”.
Teksa po merrte serumin im bir, sërish mendja më rrinte matanë tek urgjenca e të rriturve, ku Xhulio, emri e të cilit dhe profesionin e tij, i mësova rastësisht në ato memente, kishte nisur rrugëtimin e tij drejt rrugës pa kthim, drejt Parajsës. Prehu në paqe djalosh, vdekja jote trazoi jo vetëm familjen, por edhe kolegët e tu dhe mbarë opinionin lezhjan.
Në një javë 2 të plagosur dhe një i vdekur nga gryka e armëve, dhe sa e sa të tjerë nga vrasësi i padukshëm COVID. Bëhu e fortë Lezha e Besëlidhjes së Skëndërbeut, e Katedrales së Shënkollit.
Shpresoj dhe uroj që Shënkolli, nata e të cilit kremtohet sonte, t’i ndriçojë rrugen për në amshim Xhulios, t’i japë forcë familjes së tij për përballimin e dhimbjes, t’i japë forcë çdo familje lezhjane dhe jo vetëm, të cilat kanë humbur familjarët për shkak të Covid-it, të shërojë çdo pacient, që ende lëngon dhe të na mbrojë të gjithëve nga armiku i padukshëm, por edhe nga armiqtë e dukshëm. /Nga Lindita KOKAJ MARKU/