Kur Edi Rama i shkruan Sinisha Mihajlovic! Sot jemi njohur me një tjetër fytyrë të Edi Ramës. Atë të një shqiptari që me zemër në dorë pas numrit të marrë nga miku i tij Aleksandër Vuçiç i shkruan Sinisa Mihajloviçit për shkak të betejës me leukeminë. Aspekti njerëzor duhet të mbi sundojë gjithmonë.
Por! Sinisha Mihajloviç është i njohur për dy gjëra në karrierën e tij si futbollist. Goditje e dënimit dhe miqësitë e tij me kriminelët e luftës Eljko Ranatoviç alias Arkan dhe kasapin e Ballkanit Ratko Mlladiç. Për Arkanin Sinisha Mihajloviç ka deklaruar se: Nuk e mohoj miqësinë time me të, ai mbronte serbët, krimet i ka të tmerrshme por ajo ishte një luftë civile.
Po Sinisha Mihajloviç do të deklaronte për Ratko Mlladiç këto fjalë: Mlladiç ishte në vizionin e tij të luftës, një partizan, një luftëtar i madh që luftonte për popullin e tij. 1 javë pas vrasjes së Arkanit në një hotel në Beograd, Mihajloviç organizoi ultrasit idiotë të Lacios si homazh për mikun e tij një nekrologji publike ku në një baner shkruhej, “Nderim për Tigrin Arkan”.
Një kryeministri shqiptar përpara se të angazhohet si laper për të bërë të ndijshmin në raport me semundjen e një futbollisti, do të duhej më parë të lexonte se kush është ai, çfarë përfaqëson apo minimalisht të merrte në telefon një farë Igli Tare. Sepse gjëja e parë që Tare ka bërë kur shkoi tek Lacio ishte ta kapte për fyti serbin Mihajloviç pas replikave që kishin shkëmbyer për konfliktin Kosovë- Serbi. Sepse ndërsa për Iglin, Kosova është Shqipëri, për Sinisha Mihajloviç ‘Kosovo je Serbie’. E mbaj mend ndeshjen kur tifozët e Lacios shpalosën banerin e fëlliqur për Arkanin, isha 19 vjeç dhe neveria me kaplon edhe sot kur e kujtoj.
Në botën time të vogel e të papërfillshme refuzova pak vite më parë të ndiqja ndeshjet e skuadres time të zemres Milan, sepse trajneri ishte çetniku i vogel sërb. Sot mësoj se njeriu që po kërkon kasetën e Krushës së Vogël me trupat e të vrarëve me shumë gjasë edhe nga tigrat e Arkanit, i paska shkruar me zemër në dore atij që i këndoi në mes të Italisë “lavdisë” së vrasesit psikopat serb.
P.S. Me këto ritme mos u habitni kur një ditë të mesoni se zilja e telefonit të Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse “Vidovdan”. /Nga Bledian KOKA/