Nuk është aspak e lehtë të japësh opinion apo të komentosh për një shtresë, kategori, pjesë e së cilës je. Sidomos kur ke mbi tre dekada rrugëtim dhe ke mundur të jesh dëshmitar okular i transformim/devijimit të herëpashershëm të këtij profesioni. Që në krye të herës, të gjithë duhet të kuptojmë se edhe gazetarët, operatorët, punonjësit e mediave në përgjithësi, janë shtresë e shoqërisë shqiptare. Si vetë ajo dhe shtresat që e përbëjnë, edhe kjo kategori bashkëjeton me problematikat e realitetit, rëndohet nën peshën e përditshmërisë, tenton të lehtësojë “supet” me metoda ndoshta jo shumë orthodhokse.
Krejt natyrshëm, çdokush përpiqet të lehtësojë barrën e jetës për vete, familjen, të afërmit, miqtë apo shokët…madje edhe tek të njohurit, nëse ka mundësi. Çdo individ përpiqet të jetojë më mirë, më me komoditet, më me pak stres për të sotmen e sidomos të nesermen. Në funksion të kësaj, shumë punonjës të medias, tentojnë të marrin më shumë se një rrogë, duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara brenda profesionit. Nuk ka snjë shkelje ligjore deri kmtu, edhe pse disi “i hyhet në hak” pjesës profesionale por e justifikuar plotësisht nga kushtet aspak dinjitoze (sidomos të rrogës mujore) që shumica e mediave ofrojnë. Kështu, thuajse pjesa dërrmuese e punonjësve të medias, punojnë në më shumë se një.
Ajo që përbën shqetësim, janë faktet e fundit aë po dalin në formën e indicieve të paktën, për disa kolegë tanë. Nga ajo që është zbuluar deri tani nga “rrjedhja” e dosjeve nga SPAK, dyshohet për një lidhje/bashkëpunim të frikshëm mes grupeve/bandave kriminale me eksponentë të rëndësishëm të mediave, kryesisht kolegëve që mbulojnë “kronikën e zezë”. Pak a shumë, disa syresh dyshohen si zëdhënës apo zyra shtypi të grupeve/bandave kriminale, duke i ndihmuar ti largohen përgjegjësisë së pritshme përballë drejtësisë apo duke krijuar përparësi ndaj rivalëve të “botës së errët”. Këtu nis cënimi i ligjit nga gazetarët, edhe pse duhet të kujtohemi të gjithë që, deri në një vendim të formës së prerë të gjykatave, çdokush konsiderohet i pafajshëm.
Gazetaria është profesion publik. Me laps, mikrofon apo laptop, kemi mundësi të pafundme të ndikojmë në opinionin publik. Në jo pak raste, për interesa personale apo të pronarëve/drejtuesve të mediave, shfaqemi si “hanxhar” sidomos përballë institucioneve. Po, është e vërtetë: institucionet, i frikohen gazetarëve dhe mediave, në të gjitha nivelet, vendore e qendrore, edhe “gjyqësori”. Këto 34 vite, mediat e gazetarët kanë fituar një pushtet të fortë, nga vendi i katërt, kanë dalë si “pushteti i parë”. Nuk po flas vetëm për emisionet “investigative”, një pjesë e të cilave konsiderohen edhe gjobëvënëse në perceptimin popullor. Përgjithësisht, gazetarët janë të frikshëm jo vetëm për shkak të mediave (që mund të jetë edhe personale sociale) por edhe imazhit pozitiv për ta, i cili vazhdon të jetë dominues.
Në vitin 2005, kam dalë publikisht, si përfaqësues i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV Albania) me propozimin për një ligj “Urdhri i Gazetarit” për të rregulluar këtë profesion. Herëpashere në hapësirat që kam patur, e kam përsëritur këtë propozim. Me arsyen e thjeshtë: vetërregullimi i imponuar si mekanizëm rregullator, nuk funksionon, nuk mund të funksionojë vetë për këtë shtresë/kategori ndërsa të gjitha të tjerat funksionojnë sipas ligjit. “Armiqtë” kryesorë të rregullimit me ligj vazhdojnë të mbeten politikanët e të gjitha krahëve e niveleve dhe…pronarët e mediave. Sot gazetar nuk të bën arsimimi në degën përkatëse, as përkushtimi apo aftësia. Të bën një pronar (ndoshta edhe injorant në kuptimin e parë tradicional të fjalës), i cili ngre në këmbë një media për ti shërbyer interesave personale të biznesit apo edhe politikës e politikanëve. E bën të pamundur rregullimin me ligj, simbioza përkryer politikanë- pronarë mediash, bazuar në interesa të përbashkëta afatgjata apo afatshkurtra.
Pavarësisht kësaj, si në drejtësi, polici apo politikë, ka nevojë për vetting edhe në media. Duke nisur nga pronarët e mediave. Pyetje e thjeshtë: pse vazhdojnë të mbajnë të hapura biznese me humbje siç janë shumica e mediave? Si i sigurojnë të ardhurat për të mbajtur në këmbë mediat? Nëse i kanë “arkat” plot, si i sigurojnë këto të ardhura kur mediat përgjithësisht në Shqipëri janë biznes me humbje? Cilat janë kushtet e punës për punonjësit dhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre, punojnë nën nivelin e rrogës minimale zyrtare ose pse paguajnë me dy bordero, një të deklaruar në shtet dhe një tjetër CASH?
Rregulli i famshëm “ndiq paranë” vlen jo vetëm për pronarët por edhe punonjësit e medias. Gjithmonë, nëse ndonjëherë ky shtet do të kërkojë zbatimin e ligjshmërisë edhe në tregun mediatik. Sepse si në politikë, drejtësi e kudo, sa punonjësit e medias nuk mund të futen të gjithë në një “thes” të përbashkët. Kjo vlen edhe për pronarët/drejtuesit e mediave. Për ta mbyllur, jo rrallë, sidomos kur ka ngjarje të rënda kriminale dhe evidentojmë reagim të mangët të policisë, shprehemi ftohtë: “Të dorëzojnë kapelen” nëse nuk e bëjnë punën si duhet, nuk na intereson sa rrogë marrin. Në fakt, kjo vlen për të gjitha profesione/zanatet. /Nga Blerti DELIJA/