OPINION – Nëse PD do të vinte në pushtet me 25 prill, a do të kishte sot një çeshtje “Berisha”…?!

Tashmë ka nisur zyrtarisht një përballje në distancë të paktën në mes kryetarit dhe ish- kryetarit të PD- së, në mes pasardhësit dhe paraardhësit në partinë më të madhe të opozitës sot dhe asaj që ka qeverisur këtë vend rreth 13 vite. Ish- kryeministri Berisha ka zhvilluar takimin e parë të turit që ai e quan “Foltore”, ndërsa në të njëjtën kohë në Kuvend zhvillohej seanca plenare e votbesimit të qeverisë “Rama 3”.

Dy eventet, duket se kanë patur mes tyre një “garë të pashpallur” për të eklipsuar njëra- tjetrën, nisur nga komentet e shumta në rrjete sociale lidhur me audiencën. Në PD, është një situatë e re, e padëgjuar më parë, sidomos nisur nga emrat dhe pozicionet e aktorëve kryesorë: Lulzim Basha dhe Sali Berisha! I pari kryetar për 8 vite dhe fitues i mandatit të tretë katërvjeçar, i dyti i konsideruar lider historik dhe udhëheqës i PD- së deri në vitin 2013 “de facto” dhe “de jure”.

Pakkush e analizon apo e përmend se pikërisht 25 prill 2021, është zanafilla e asaj që po ndodh sot në PD. A do të ishte e njëjta situatë në PD, nëse me 25 prill 2021 ajo do të ishte fituese e zgjedhjeve, rrjedhimisht edhe në qeverisje të vendit nga mëngjesi i sotëm?

Mandati i tretë radhazi në opozitë për të njëjtën forcë politike, është risi për Shqipërinë. Nga 1990 nuk kishte ndodhur që një subjekt politik të merrte 3 mandate radhazi. Edi Rama në fakt, kishte dhënë prova se nuk kënaqej lehtë me pushtetin. Tre mandatet në krye të Tiranës ose 11 vite, janë tregues i rëndësishëm. Madje, nëse në 2011- ën nuk do ta humbiste Tiranën siç e humbi përballë Lulzim Bashës, me shumë mundësi do të ishte i kënaqur kryebashkiak i kryeqytetit akoma. Nëse nuk do të ishte në opozitë me qeverinë qendrore, me shumë mundësi qeverisja e tij në nivel lokal në metropolin shqiptar do të vazhdonte edhe sot.

Ishte e vështirë që Rama të ndahej nga karrigia e pushtetit. Ishte në kufijtë ekstremë por jo e pamundur të largohej. Kjo shpresë mbante gjallë shpresën e ndryshimit për mijëra shqiptarë, megjithë mekanizmat e ngritur dhe përdorur me mjaft mjeshtëri politike nga Edi Rama. Tashmë nuk është momenti për të bërë një analizë të detajuar të asaj që çnodhi, sidomos post- factum. Po nëse me 25 prill 2021 PD do të fitonte dhe Lulzim Basha të ishte kryeministër i vendit?

Fituesi nuk gjykohet! Më saktë, nuk do të gjykohej. Kancelaritë europiane dhe përtej Atlantikut, do të nxitonin të uronin fituesin, do të shpehnin kënaqësi- gatishmërinë për të bashkëpunuar në interesin e përbashkët dhe të rajonit. Pas Bashës, Berisha do të ishte epiqendër e fitores së PD- së. Me shumë mundësi, edhe ai do të merrte mesazhe urimi. Ndoshta nga kryeministri e presidentë në detyrë jo, por nga ish- ët dhe kryetarët e partive të djathta, me patjetër.

ShkodraWeb Channel

E në këtë klimë fitoreje, askush nuk do të guxonte të merrej me fituesit, me Sali Berishën. Askush nuk do të shpallte atë “non grata”, nuk do të kishte një çeshtje “Berisha”  dhe natyrisht, nuk do të kishte një vendim përjashtimi nga GP i PD- së për të. Në rastin më të keq, Basha si kryeministër, nuk do të plotësonte kerkesën- presion të diplomatëve.

Situata në të cilën është sot PD, duhet parë në linjën shkak- pasojë. Zanafilla është dhe mbetet 25 prill 2021. Ato që pasuan këtë datë, duket se janë pjesë e një “skenari”, udhërrëfyesi ndoshta të pashkruar (që mund edhe të ndryshohet nga autor/ët) me synim afrimin e PD- së tek ajo që nuk ia doli me 25 prill: Fitoren e zgjedhjeve politike dhe ardhjen në pushtet! /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel

Open

Close