
Humbja me Tiranën në Superligë, e ka bërë thuajse të paarritshme Europën e futbollit përmes këtij kompeticioni. Partizani, Kukësi, Vllaznia e pse jo Teuta, janë shumë për vetëm 1-2 vende në Conference League. E sigurtë është Tirana kampione dhe Laçi i blinduar në vendin e dytë dhe në finalen e Kupës së Shqipërisë me Vllazninë.
Me shumë mundësi, “varka” e fundit që mund të shpëtojë sezonin e kuqbluve, është pikërisht ajo që mund ti dhurojë Laçi i Pashk Laskës. Me lojë, nuk është e vështirë të kuptohet se Kupa është më pranë kurbinasve. Sidomos Vllaznia e post- Brdariç, është një ekip që nuk tregon asgjë në fushën e blertë, me përjashtim të shthurjes individuale e si reparte.
Topi është i rrumbullakët dhe nuk përjashtohen asnjëherë mrekullitë, edhe pse ndodhin shumë, po shumë rrallë. Vllaznia mund të jetë në Europë në këtë sezon falë fatit, aftësisë dhe mobilizimit për të paktën një ndeshje ose…përmes…ose. Që nuk është aspak çudi të ndodhë në Shqipëri, sidomos kur Kupa e Shqipërisë përcaktohet me një ndeshje të vetme.
Mendoj se është momenti, madje është vonë, që të mendohet për prezantimin në Kupat e Europës. Vllaznia ka nevojë ulëritëse për ndryshime, përforcime, largime e afrime. Gjithmonë nëse pretendohet të ecet disi në Europë, jo vetëm për kënaqësinë e tifozëve, por edhe për arkën e klubit kuqeblu. Përndryshe, aventura në Europë mund të jetë një përsëritje e shëmtuar e asaj të vitit të kaluar.
Nuk duket se ka shumë kohë në dispozicion, por Vllaznia mund të realizojë huazime nga ekipe të ndryshme për Kupat e Europës por edhe të kaparojë futbollistë cilësorë nga Dinamo e Skenderbeu të rënë nga Superliga. Kështu, mund të konfirgurohet një ekip që mund të premtojë më shumë për Kupat e Europës.
Por Vllaznia ka një nevojë edhe më shumë ulëritëse. I duhet një trajner, një timonier që ta udhëheqë fillimisht në Kupat e Europës e më pas edhe në Superligë. Ikja e Brdariç ka krijuar një situatë të paqendrueshme dhe pa rrugëdalje. Plori nuk motivon, edhe pse kanë kaluar shumë javë drejtim të ekipit nga ai. Me elementët që dispozicion, e ka shumë të vështirë të punojë për nivele të larta, sepse ishte zëvendësi i Brdariç të shkarkuar. Bashkë me Plorin, duhet të hapin krahun i gjithë stafi teknik aktual. E vështirë, por duhet parë si sherbim për Vllazninë, klubin, Shkodrën…
Vllaznisë i duhet një trajner, mundësisht i huaj dhe pa asnjë njohje në terrenin sportiv në Shkodër. Një trajner shqiptar, sidomos shkodran, e ka të vështirë të ndërtojë ekip dhe ta udhëheqë drejt titullit të shumë ëndërruar. Por më e rëndësishmja, është ajo çfarë ka në mendje presidenti Alban Xhaferi. Për të pretenduar titull, duhen investime në rendin e mbi 1 milion euro në sezon… /Nga Blerti DELIJA/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!