OPINION – Nëse “Kushtetuesja” ndjek logjikën e “30 qershorit”, edhe Presidenti Meta i ka “ditët e numëruara”

Gjykata Kushtetuese foli. Edhe pse me shumë vonesë nga 30 qershori 2019, ajo foli dhe dha vendimin. Pas opinionit të Komisionit të Venecias, pakkush kishte dyshime për vendimmarrjen. Ishte lehtësisht e kuptueshme se vendimi do të ishte në të njëjtën linjë me opinionin e “të urtëve” të Venecias. Sigurisht, siç ka thënë pala kërkuese në Gjykatën Kushtetuese, “beteja” nuk përfundon këtu. Do të kërkohet përfshirje në vendimmarrjen për “30 qershorin” edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Legjitimimi i “30 qershorit” përveç se një fitore e radhës e kryeministrit Rama, rikthen në fokus edhe çeshtjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë legjitimitetin e vendimit të Kuvendit, për të cilin tashmë Meta nuk është më president sepse është shkarkuar edhe me vota të opozitës së parlamentit të kaluar.


Ndër shkeljet që Kuvendi i ka atribuar Presidentit Meta, janë edhe ato që lidhen me qasjen e tij me “30 qershorin”. Publikisht dhe më shumë se një herë, Meta i ka konsideruar të pavlefshme zgjedhjet vendore të 2019- ës. Madje, anuloi dekretin për zgjedhje me 30 qershor 2019 dhe dekretoi zgjedhje vendore me 13 tetor 2019. Dekretet e tij “u thyen” me rezoluta të parlamentit, të të njëjtit që nuk i kurseu shkarkimin.

Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka 7 antarë nga 9 që duhet të ketë. Për të marrë vendim, duhet të sigurohet minimalisht numri 5 i votave. Presupozohet se ka numër është arritur edhe për çeshtjen “30 qershori”. Kjo për të kuptuar që është formuar një “mazhorancë” prej 5 gjyqtarësh kushtetues që mbase mund të rrezikojnë edhe pozitën e Presidentit Meta në krye të shtetit.

Nga ana tjetër, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, mund të lexohet si “dackë” e radhës e Metës për Bashën, i cili është investuar mjaft në pavlefshmërinë e “30 qershori”. Ky arsyetim, nisur nga fakti se 4 gjyqtarë nga 7 aktualë, tre janë emëruar nga Meta ndërsa i katërti është akoma në detyrë edhe pse i ka skaduar prej vitesh mandati. Po ashtu, edhe ftohja e marrëdhënieve në mes Bashës dhe Kryemadhit, mund të jetë një tjetër indikator, duke shtuar edhe zërat për një paqtim Meta- Rama.

Me logjikën e vendimmarrjes së sotme të Gjykatës Kushtetuese, edhe Presidenti Meta duhet ti ketë “ditët e numëruara” në krye të shtetit. Në të kundërt, qendron arsyetimi në paragrafin më sipër. Në të gjithë skenarët, përfshi edhe opinionin e Komisionit të Venecias për “30 qershorin” por edhe shkarkimin e Presidentit Meta, vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese, janë nën ndikim politik. Në fakt, është thonë gjithmonë, brenda e jashtë vendit. Vendimet e gjykatave të këtij niveli, më shumë se juridike, janë politike. Dhe me pasoja pikërisht në/për politikën. /Nga Blerti DELIJA/