Orët e fundit, hapësira mediatike dhe rrjetet sociale janë tejmbushur me shpalljen si “kampion i antikorrupsionit” i shefit të SPAK në Shqipëri, Altin Dumani. Ai e ka marrë këtë vlerësim nga Departamenti i Shtetit i SHBA, pak a shumë ministria e jashtme e shtetit më të fuqishëm në glob. Pak më herët, në shkurt 2021, një tjetër përfaqësues i drejtësisë shqiptare, mjaft i anatemuar atëkohë, Ardian Dvorani, mori të njëjtin vlerësim. Kjo, për të treguar se “drejtësia e re”, nuk e ka ekskluzivitet këtë vlerësim.
Altin Dumani është pjesë e një liste prej 10 personash, nga vende të ndryshme të botës. Shefi i SPAK e mori këtë titull si përfaqësues i Shqipërisë. Po me cilat shtete është rreshtuar vendi ynë si “kampion i antikurrupsionit”? Në posterin e publikuar nga DASH, 9 personat e tjerë të vlerësuar, përveç Dumanit vijnë nga shtete si Uganda, Gambia, Nepali, Kazakistani, Azerbajxhani, Armenia, Kolumbia, Libani e Panamaja. Nuk është e nevojshme të bëhet ndonjë koment për këto vende, jo vetëm për nivelin e korrupsionit, por as standardet e shoqërive të tyre.
Asnjë nga këto shtete nuk është në NATO, nuk aspiron për antarësim në Bashkimin Europian apo organizma të ngjashëm si Shqipëria. Pavarësisht perceptimit që ka secili prej nesh, në opinionin ndërkombëtar, të paktën atë europian, Shqipëria nuk krahasohet në asnjë drejtim me shtetet ku është përfshirë me përfaqësuesin e saj, Altin Dumani, si “kampione antikorrupsioni”.
Pyetja më normale, përtej kënaqësisë personale dhe të kuptueshme të “kampionit të antikorrupsionit” të radhës, është: A duhet të ndjehemi krenarë apo jo me përfshirjen në këtë grup me shtetet e përmendura më sipër!? /Nga Blerti DELIJA/