Më dhemb çdo vandalizëm në kurriz të çdo lloj kauze, e veçanërisht në kurriz të kauzave që e dëmtojnë dhe “dënojnë” qytetin. Më dhëmb që justifikojnë edhe duan me çdo kusht të legjitimojnë përdorimin e fëmijëve në ngjarje të tilla.
10 femijë që asnjëri nga të rriturit, aty prezent, nuk pati forcën ti ndalte dhe ti detyronte të ktheheshin në shtëpi por përkundrazi, shpresonin që t’u ndodhte diçka dhe kështu do legjitimohej kauza e vjedhur e protestës dhe do devijohej si gjithmonë në kauzën e tyre politike.
Në atë kauzë që në 2019 e afërt theu dhe dogji shkolla. Në atë kauzë që përsëri në 2019 donte të ndante qytetin në “pale” që ti vendoste kundër njëra tjetrës sepse të kesh bindje politike të ndryshme nuk “lejohet” në Shkodër. Në ato kauza që kanë vite që përpiqen të legjitimohen se janë kauza të demokracisë.
Nuk mund të pranoj që qytetaria e Shkodrës ka përfunduar në një grumbull njerëzish, që në sy të grave e fëmijëve dhe në sy të gjithë mediave, që po e jepnin ngjarjen shanin me një fjalor skandaloz. Nuk mund të pranoj që qytetaria e Shkodrës e ka indentifikuar veten sot tek ndonjëri nga ato që protestonin duke thy e pjesa tjetër duke ba sehir.
U thy selia e PS. Institucion është dhe nuk duhej të ishte bërë ajo që u bë. Po problem më të madh kishte që 4 ambulancat që ndodheshin tek ndërtesa përballë, që është ambulanca e qytetit, u desh të spostoheshin që të mos dëmtoheshin. Dhe përtej kësaj, ambulancat të përshkonin një itinerar më të gjatë, në një zonë me trafik më të rënduar nëse do kishin ndonjë urgjencë. U desht që edhe në këtë situatë pandemie, në të cilën vëmendja e njerezve është e drejtuar tek shëndeti të ndodhte ajo që ndodhi. ….e PAFALSHME.
Me këtë qytet është luajtur shumë dhe nuk e meriton. Është bërë “mish për top” shumë dhe prap nuk e meriton. Ky qytet ka plot çfarë ti MËSOJË gjithë Shqipërisë. Ky qytet ka burra dhe gra, vajza dhe djem që kanë vendos me jetu e me kontribu këtu, dhe jetojnë e kontribuojnë çdo ditë në forma dhe në fusha të ndryshme.
Kush më shumë e kush më pak, që të kenë çfarë tu lenë trashëgim brezave që do na pasojnë. Dhe kanë zgjedhur rrugën më të vështirë duke mos u bërë palë e ndonje grupimi të caktuar ose duke qënë kundërshtar (në mendësi)të një grupimi të caktuar.
Sot kam marrë telefonata nga shumë miq dhe kolegë, brënda dhe jashtë Shqipërisë,të cilët po ndiqnin protestën dhe të shqetësuar me atë që po ndodhte më pyesnin se si jemi. Dua ti falenderoj një e nga një. I jam falenderuese shumë secilit. Një ndër mesazhet më domethënës që kam marrë sot ishte: Ardhshin ditët që i meriton Shkodra jonë dhe Ju, intelektualët e mirë të sajë. /Nga Brisela TRUMA KADIJA, kryetare e Këshillit Bashkiak Shkodër/