ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ Mjaft më! Shembujt e suksesit individual nuk mund të përdoren kaq paturpësisht!

Pak pas mesnatës së kaluar dhe në orët e para të kësaj të hënë, emri i Arba Kokalarit po lakohet në të gjitha rasat. Statuse patetike në kufijtë e groteskes po mbushin rrjetet sociale, krenari deri shumë përtej histerisë masturbuese kolektive, lidhje e sforcuar e suksesit individual jashtë vendit me genin.

Çfarë merite ka Shqipëria në arritjen e rrallë të zonjës Kokalari? ASNJË! Shqipëria në këtë rast, përmes suksesit individual të kësaj zonje, do të ketë një përfaqësuese indirekte në Parlamentin Europian. Sepse shqiptarja do të ulet në sallën e këtij institucioni falë votave të suedezëve. Qofshin ata edhe me origjinë a kombësi shqiptare.

Kanë nxituar të urojnë publikisht liderë politikë, të majtë e të djathtë. Madje, duke mos përtuar edhe “ta privatizojnë” suksesin e Kokalarit, si pjesë në Europë e “partive si motra”. Hipokrizia arrin deri tek presidenti i Republikës, i cili shpërndan një urim për suksesin individual të zonjës në Suedi. Kush është çudi ti jepet edhe një titull, pse jo “Nderi i Kombit”. Këto vlerësime janë kthyer thjesht në llamarina me ngjyra, të shoqëruara nga një fletë A4 e printuar bukur.

Përballë suksesit të veçantë të zonjës Kokalari, sot është momenti të heshtim dhe të mos ngrejmë sytë nga toka. Sidomos nëse duam të sjellim në vëmendje këto 30 vitet e fundit dhe politikën si mekanizëm lëvizës. Duhet të na vijë turp nga vetja, duke nisur nga ata që na kanë udhëhequr këto 30 vite dhe deri tek më i fundit, atje në një kafene lagjeje që me 50 lekët e fundit në xhep, rrufit kafe me shpresën se “më mirë do të bëhet”, edhe pse në familje mbase nuk ka as bukën.

Pafytyrësia arrin deri aty, sa del në skenë edhe Musine Kokalari, mbesë e të cilës qenkërka eurodeputetja në pritje. Superlativa për të ndjerën, superlativa për të gjallën. Thellë- thellë, një tallje për të gjithë shqiptarët sepse Musineja e ka lënë pas diçka, ndërsa Arba po hyn në histori si e para me kombësi shqiptare që do të ulet në Parlamentin Europian. Fati i madh i kësaj vajze shqiptare është se u shkollua, formua dhe jetoi larg vendlindjes së vet. Ndoshta i sherbeu pikërisht fati tragjik i Musinesë për të bërë hapin e duhur në kohën e duhur. Sipas gjasave, në Shqipëri nuk do të ishte asgjë më shumë se një promovuese e “Skenderbenjëve” të rinj dhe jo për fajin e saj…

Meqë ra fjala, pas Skenderbeut, Nënë Terezës, atij që shpiku “viagrën”, listës së masturbimit nacionalist publik kolektiv, do ti shtohet edhe një emër tjetër. E mos harroni, kaluan 30 vite…për ata që kanë zgjedhur apo janë të dënuar të jetojnë në këtë vend! /Shënim i ShkodraWeb/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.