
Ndodh thuajse në të gjithë botën që personazhe të njohura të artit, kinematografisë apo sportit shfaqen në krah të kandidatëve politikë. Lëvizje të tilla, me synim tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik, synojnë maksimalizimin e votave të kandidatëve të ndryshëm.
E ky fenomen, haset edhe në Shqipëri. Por ndryshimi është thellësisht i dukshëm. Artistët, aktorët apo sportistët nëpër botë, janë miliarderë ose së paku, milionerë. Bindja e tyre për ti dalë në krah X apo Y politikani, nuk niset nga premisat e ndonjë qoke, shpërblimi monetar apo privilegji material. Në jo pak raste, artistë, aktorë apo sportistë, madje janë më të pasur se kandidatët politikë.
Prej shumë vitesh, praktika ka hyrë edhe në vendin tonë. Kryesisht, kanë qenë mosha të reja, artistë, këngëtarë, aktorë dhe sportistë, ata që kanë investuar imazhin e tyre në shërbim të një politikani apo partie politike. Natyrisht për përfitime nga më të ndryshmet, të dukshme e të padukshme, për poste apo edhe “shuk” me para në grusht apo ne banka. Para mediave, sigurisht të gjithë VIP-at shprehen “të bindur” se personi- politikan në krah, e meriton mbështetjen e tyre e jo për arsyet që aluduam më sipër.
Po Robert Ndrenikën dhe Tinka Kurtin, çfarë mund ti ketë shtyrë të dalin në krah të Edi Ramës si “shpëtimtari” i Shqipërisë, sidomos në situata të vështira?
Gjëja e parë që të shkon në mendje, është vaksina. Dy artistët e mëdhenj, ishin pjesë e të privilegjuarve në radhën e vaksinimit, atëherë kur vaksinat numëroheshin me gishtat e duarve. Kaq, është shumë pak që dy kolosë të skenës e ekranit, ti japin kreditë Edi Ramës.
E dyta që të shkon mendja, është situata ekonomike e të dyve. Më shumë se njëherë, jo vetëm ata por gati të gjithë kolegët bashkëmoshatarë, flasin për vështirësi ekonomike, për pensione të ulta etj. Nuk e di nëse përfitojnë, por si rregull dekorata “Nderi i Kombit” shoqërohet edhe me përfitime financiare. Po ashtu, nuk është e qartë nëse dy personalitetet janë përfitues të “pensioneve të posaçme”.
E treta, mund të jetë ndonjë “sakrificë” e vogël për të siguruar ndonjë të afërm, në rendin e parë apo të dytë, në pozicione pune shtetërore. Por edhe kjo si dy të parat, duken arsye të pamjaftueshme për të nxjerrë para kamerave apo mikrofonëve të pikove aktorë të kalibrit Ndrenika e Kurti.
Por në të gjitha rrethanat, ata janë të justifikuar për daljet e tyre, në emër edhe të asaj që për dekada u dhuruan shpirtërisht shqiptarëve kudo në botë (mbase edhe për shkak të tekave të kuptueshme që lidhen me moshën). Siç kanë dalë sot, pa problem mund të dalin edhe nesër në krah të një tjetër kryeministri apo presidenti. E patolerueshme, e papranueshme, jonjerëzore, jo etike, jo morale dhe e turpshme është që Edi Rama të kërkojë këtë shërbim nga aktorë legjendë të këtij kalibri. Edhe nëse në një moment, për arsyet që përmendëm më sipër apo edhe të tjera, vetë këta aktorë do të kërkonin ti ofronin këtë shërbim, ai nuk duhek t’ ia lejonte vetes ti përdorte, ti shfrytëzonte.
Nuk ka asnjë dyshim se jemi në këtë linjë. Po, po, përdorim e shfrytëzim i imazhit me synim pushtetmbajtje. Nuk ka dhe nuk mund të ketë emër tjetër. Nëse ishin dje “Artistë të popullit” e sot janë “Nderi i Kombit”, janë përtej çdo politikani, çdo partie politike, madje mbi të gjithë dhe si simbole të shqiptarëve kudo ku janë. Edhe pse në fakt, ka kohë që politika jonë ecën me parimin “Qëllimi justifikon mjetin” të Makiavelit. Fatkeqësisht, “mjetet” janë Tinka e Roberti (mbase edhe të tjerë), ndërsa qëllimi i Edi Ramës dihet… /Nga Blerti DELIJA/