Sot nisi zyrtarisht misioni anti- Vllazni! Nuk është e vështirë të konstatohet. Arbitrimi ishte ai që penalizoi dukshëm kuqeblutë. Tolerimi i simulimeve të futbollistëve krutanë të cilët më shumë qëndruar horizonatlisht se vertikalisht mbi tapetin jeshil, mosndëshkimi i ndërhyrjeve- në shumicën dërrmuese të qëllimta të futbollistëve miq, duhet të jenë këmbana e alarmit për Vllazninë.
Nga sot, Vllaznia duhet ti bëjë llogaritë për të fituar në fushën e blertë edhe ndaj lojtarit të 12- të, i veshur sipas rastit me të zeza, të verdha apo vishnje: Arbitrin! Natyrisht, ndeshja me Kastriotin duhej fituar. Nuk ka asnjë justifikim, aq më shumë kur vetë Brdariç deklaroi publikisht që “i kam thënë futbollistëve të shënojnë 2-3 gola që të mos kemi probleme me arbitrimin”. Pra, në një farë mënyre, edhe trajneri që ka pak muaj në realitetin e futbollit shqiptar, e ka kuptuar.
Përtej kësaj, barazimi i sotëm uli Vllazninë më shumë me këmbë në tokë. Pas disa ditëve euforike që kulmuan me të shtunën festive të ditëlindjes së Brdariç, është momenti të reflektohet. Nuk ka asgjë të keqe të festohet, qoftë edhe për ditëlindjen e antarit më të thjeshtë të stafit. Por vetëm më pak se 24 orë nga një ndeshje, futbollistët nuk duhet të heqin dorë nga profesionalizmi.
Qetësia dhe pushimi fizik, duhet shoqëruar me përqendrimin mendor. Sipas gjasave, në orën 20.00, të gjithë futbollistët, ose të paktën ata të 11- shes së parë, duhej të ishin në dhomat e tyre. Po ashtu, specialistët po flasin për “thatësirën” 8 javore të sulmuesit Dilaver. Në fakt, ndodh edhe me emra shumë të mëdhenj të futbollit i njëjti fenomen por Vllaznia nuk e ka luksin, sidomos në këtë moment dhe me këtë përbërje.
Barazimi nuk është njësoj si humbja ashtu siç edhe një humbje nuk duhet përjetuar si fundi i botës. Edhe pak ditë kanë mbetur nga merkatoja e janarit dhe me largimin e Dungës, ka para për të paktën një sulmues cilësor. Kjo merkato nuk ofron shumë mundësi zgjedhjeje, por detyrimisht duhet menduar për një që mund të zëvendësojë Dilaver, nëse vazhdon “thatësira” e tij.
Ndoshta është skemë, por edhe pozicioni i sotëm i Hoxhajt, golëshenuesi më i mirë me 8 gola, nuk e favorizonte të kërcënonte portën. Shumë herë u pa në rrethin e mesit të fushës, duke kërkuar topin, ndërsa Da Silva, mbase i disfavorizuar nga terreni e reshjet e shiut, nuk tregoi asgjë për minutat që u aktivizua.
Natyrisht, pa yje sivjet është krijuar një Vllazni shumë e bukur. Pa yje por që shkelqen në qiellin e futbollit shqiptar. Një ekip që tashmë duhet të nisë të bëjë llogaritë ndryshe. Është ai ekipi që do synohet nga të gjithë edhe nga arbitrat, që të mundet. Si edhe vitet e kaluara, nuk kemi aleatë dhe vështirë të gjejmë. Duke nisur nga stërvitja por edhe ndeshjet zyrtare, impenjimi duhet të jetë 150%. Nëse duam të kthehemi tek suksesi, nëse duam titullin e 10- të dhe një yll në fanelë, nuk ka rrugë tjetër! Sot e kuptuam të gjithë, ata në fushën e blertë apo në pistë, në shkallët e “Loro Boriçit” por edhe përmes ekranit të televizorit. /Shënim i ShkodraWeb Media/