Militant është emërtim i shpeshtë, të cilin e hasim vazhdimisht në këto kohë “paqeje”. Por, po në varësi të kohës, tjetërsohet gjithashtu edhe qëndrimi ndaj këtij fenomeni. Herë është i shumëkërkuar. ku qytetari mbështet shpresat për një qëllim fisnik e vetëmohues të kësaj figure, e herë i pështirë deri në neveri nga e kundërta e dyshimtë e këtij të fundit. Sipas fjalorit relativisht të kohëve tona dhe atij të vitit 1980, Militánt,-i m. sh. -ë(t), edhe si mb., anëtar i një partie a i një organizate, i cili lufton me vendosmëri e me vetëmohim për të plotësuar programin e saj; veprimtar shumë aktiv; luftëtar: militantët e partisë. Ndërsa në fjalorin e vitit 1980 e qartëson si anëtar i një partie marksiste -leniniste a i një organizate përparimtare, që zhvillon një veprimtari të gjallë, duke luftuar me vendosmëri për të plotësuar programin e qëllimin e saj: luftëtar aktiv për një ide të lartë :veprimtar. Militant komunist. Militant sindikalist. Militant i lëvizjes punëtore. Që ka karakter luftarak, që përshkohet nga fryma luftarake, që të mobilizon në luftë për arritjen e një qëllimi të lartë, luftarak. Art militant. Letërsi militante. Vepër militante. Frymë militante.
Pra, militantizmi ka dy kuptime: ai që lidhet me institucionalizimin e njerëzve në një shërbim ushtarak, dhe i dyti ka të bëjë me kuptimin figurativ të këtij institucionalizimi. Në kuptimin e parë, militantizmi është një bekim për vendin, sepse prioritet kombëtare kanë një rrugëzgjidhje. Kurse në kuptim të dytë, atë zhargonal, militantizmi përbën problemin më të errët shoqëror, të cilin s’ka militantizëm të mirëfilltë shtetëror që ta shpërbëjë. Ky fenomen i pabesë fle në një shtrat me lajkat, intrigat, passhpinën, duke e verbuar pak nga pak edhe viktimën që e kërkon militantin si arma e tij e betejës. Nga ky bashkim vjen në jetë një fëmijë monstër pa sy, pa vesh, pa zemër, pa gjak. Monstra ushqehet po nga këto qenie të frikshme, duke na e servirur si ylberin e shpresës së erës së re. Militantizmi si zhargon na shfaqet nga thellësia e errët e skutave pa dritë për t’u konsumuar po aty. Mjerë ata që i besohen kësaj kategorie, pasi edhe atë pak dritë ua heqin dalëngadalë, duke i zhveshur definitivisht e larguar nga realiteti! Mjerë ata që kujtojnë se këto janë armata që do çojë më tej ambicien e tij të ethshme, pasi janë ata të parët, që do t’i lënë në llumin e ferrit të vet.
Jo pa qëllim, iu referova fjalorit të dy viteve të ndryshme për përshkrimin e së njëjtës fjalë. Në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare e më pas, termi ‘Militant’ kishte vlerë morale të lartë, deri në sakrifikimin e jetës. Ndërsa në vitet që po jetojmë, sa po vjen e po bëhet edhe më pis ky definicion. Kategoria në fjalë nuk flet kurrë në emër të vet, por në atë që kryetari do (jo çka realisht kryetari mendon). Ndaj, nga popull, ata shndërrohen në turmë. Turma e lajkaxhinjve profesionistë rrëshqet duke pisosur të gjithë mekanizmat që preken prej tyre, për të marrë pas vetes edhe aspiruesit e tjerë që presin të jenë “fatlumët” e radhës. Janë ata të parët që hasin, kur nis të shpaloset programi (sulmi, ndryshimi, transformimi, tjetërsimi..etj etj..) i ri i kryetarit, duke e “mbrojtur” fuqishëm atë. Janë po ata që përdorin edhe leksikun e shefit bashkë me format shpalosëse (kazan, tepsi, qeni i sulmit, të tërë në burg, fle gjumë).
Shohim rëndomtë dhe vazhdimisht në studio televizive me dritë artificiale sytë e tyre, mbërthyer ankthshëm në telefonin që sjell tekstin e freskët të shefit. Shohim shpesh turpaxhinjtë që s’kanë pikën e turpit përpara gënjeshtrave absurde që mbrojnë fort. Shohim e ç’nuk shohim, por ata nuk e kuptojnë atë që ne shohim. Kur do të qartësojnë shikimin e turbullt nga halli që i kanë ngarkuar vetës e bashkë më to edhe të dashurve në krah? Kur do e pikasin se të qenurit militant i dikujt apo diçkaje, përveç klounit për të përfituar trofeun e lakmuar, të kthen në objekt keqardhjeje te shtresa e shëndetshme që të vëzhgon? Objekt revolte, inati, përplasjeje. Pse kthehesh në shënjestrën e tjetërkujt kur armët e tua i mpreh e përdor dikush tjetër?! Frika që po humb privilegjet e të qenurit kloun i dikujt, shpejt përfundon se koha është vëzhguesi më i saktë. Koha nxjerr në sipërfaqe makinacionet dhe paktet, duke iu djegur përfundimisht. Tjetër shef kërkon armën tënde pas kësaj, por ti kthjellohu dhe reago! Ti je njeri, o njeri, jo armë! /Nga Raimonda SHUNDI/