ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ Me 30 qershor do të kisha dashur të votoja…

Nuk jam nga qytetarët më të rregullt shqiptarë sa i takon ushtrimit të së drejtës për të votuar. Ata që më njohin nga afër e dinë. Nga 1990-a kur shteti më ftoi pët herë të parë të marr pjesë në votime e deri më sot, kam rezultuar me “mungesë” në datat e caktuara nga Presidenti i Republikës. Kjo vlen për zgjedhje vendore por edhe të përgjithshme. “Pengesë” kryesore ka qenë impenjimi profesional, i cili sidomos në datat e zgjedhjeve, më ka impenjuar maksimalisht në terren apo në studio televizive. E sot, kur janë realizuar disa dhjetra palë zgjedhje, vendore e politike, të pranuara e të refuzuara, me kontestime të mëdha e të vogla, nën breshëritë e Kallashit (jo VIP-it) dhe kërcënimeve të hapura, jam i bindur se nuk kam gabuar. Të paktën, nuk e konsideroj faj të madh.

Nuk kam preferuar të ushtroj të drejtën e votës për shumë arsye. E para dhe më kryesorja sipas meje, vota ime asnjëherë nuk ka mundur të bëjë ndryshimin, diferencën në këtë vend, në këtë qytet, pavarësisht nëse do të hidhej në krahun e fituesit apo të humbësit. Edhe kjo ka nënarsyet e veta. Gati asnjëherë nuk kam qenë i sigurtë se vullneti im i shprehur përmes votës, ka shkuar në drejtimin fillestar që unë e kam nisur. Ne kemi kujtuar se vendosja dhe numërimi i votës mbi një skaner, garanton paprekshmërinë apo tjetërsimin e votës. Natyrisht, gabohemi rëndë përballë “profesionistëve” të numërimit të votave, me aftësi shumë më të mëdha se prestixhatorët, përballë të cilëve, edhe i mirëgjohuri Eduart Gjoka mund të konsiderohet “amator”. Këtë e them edhe nga eksperienca personale në procese zgjedhore, parë nga brenda dhe jashtë tyre… Komisionerë në qendra votimi, në vite të ndryshme më kanë numëruar edhe si votues, me një firmë përbri edhe kur qëndoja 48 orë në studio televizive nga ora e hapjes së votimit. Stalini thoshte se “nuk ka shumë rëndësi kush voton, por ka rëndësi se kush numëron”.

Një arsye tjetër por kaq e rëndësishme, është mosarritja e objektivave që asnjëherë nuk u përmbushën nga ata që kërkonin votën time. Normalisht, objektiva me impakt të dukshëm në jetën tonë, por në këndvështrimin e bijve tanë që erdhën në këtë jetë në “epokën e ndritur” të demokracisë. E treta arsye, gjithmonë sipas meje, ka të bëjë me sistemin. Jam i bindur se, që në zanafillë ky sistem është keqndërtuar. Nuk është bazuar në asnjë sekondë mbi vlerat, mbi konkurrencën por mbi…partishmërinë. Ekzaktësisht një rudiment i 45 viteve që teorikisht, morën fund në 1990-ën.

Sot, kur ka më pak se 24 orë kohë për të ushtruar të drejtën time për të votuar, çuditërisht mu kujtohen shumë data duke nisur nga 13 dhjetori, 2 prilli, 26 maji, 17-18 maji, 25 qershori, 21 janari, 24 korriku…e shumë të tjera. Ata që kanë qenë apo janë dëshmitarë, kuptojnë peshën specifike të çdo numri më sipër, që për shqiptarët nuk janë të zakonshëm. Ndjej keqardhje. Për vete, por më shumë për ata që kanë lindur ndërmjet këtyre datave por edhe ata që do të lindin pas 30 qershorit. Sepse edhe kjo, do të rreshtohet me datat e tjera që shënjuan historinë tonë tragjike të këtyre 30 viteve të fundit…Në pjesën fundore të tunelit ku po ecim, akoma nuk shihet dritë! /Nga Blerti DELIJA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.