Nuk ka sesi të mos ndjehesh krenar, deri në kufijtë e lumturisë, kur dëgjon se kryeministri i vendit, zëvendësi i tij të përmendin emrin duke të të marrë në mbrojtje publike. Jo thjesht përballë ndonjë polici “kryeneç” por përpara një prokurori të Republikës. Aq më shumë, kur sipas reformës së re të drejtësisë, ai ësht i pavarur nga çdokush në punën e tij, edhe nga vetë eprori administrativ Prokurori i Përgjithshëm.
Edi Rama, në sintoni të plotë me zëvendësin e tij tij Erion Braçe, vijuan edhe sot duke “denoncuar” një prokuroror që i’ia ka me të padrejtë një ish- vartësi të tyre. Sepse ish- drejtori i një Kadastre, është vartës i shefit të qeverisë.
“Unë do i dal për zot çdo nëpunësi të shtetit që sherben orë e pa orë në funksion të shtetit, pa i ndarë kurrë në të pasur e të varfer”, tha sot numri 2 i qeverisë shqiptare Braçe. Nga sot, përballë prokurorëve, natyrisht edhe përballë gjykatave, zyrtarët e këtij shteti kanë tashmë një “parzmore”, jo nga një njeri i pavlerë, por direkt nga numri 1 dhe 2 i qeverisë. Mesazhi duket i kobshëm dhe paralajmërim e vendosjes së “ekzekutivit” mbi “gjyqësorin” në rradhën e “pushteteve” në këtë vend. Nga sot, qeveria ka detyrën të mbrojë çdo zyrtar të tij sepse teorikisht, deri sa janë bërë pjesë e qeverisjes ekzekutive, janë të panjollosur, të painfektueshëm nga korrupsioni, personifiko absolut i ndershmërisë dhe përkushtimit në punë. A njihni ndonjë zyrtar të këtij shteti që e personifikon ndryshe vetveten?! Apo që e paraqet ndryshe shefi i tij në publik?!
Liridon Pula është i pafajshëm! Këtë pozicion ia garanton pikë së pari Kushtetuta e këtij vendi, kuadri ligjor por edhe konventat ndërkombëtare. Pavarësisht se është në “arrest me burg”, Pula është i pafajshëm deri sa një gjykatë, me vendim përfundimtar, të vendosë ndryshe. Për kaluarin që po kalon apo do të kalojë, atij i lind e drejta të kërkojë e të përfitojë dëmshpërblim. Po pse po përdoret ky standard në këtë rast? Edhe më herët, zyrtarë- vartës apo ish- vartës të kryeministrit, janë arrestuar nga policia pas urdhërit të prokurorisë. Madje, janë mbajtur me muaj në paraburgim, edhe pse në fund kanë rezultuar të pafajshëm. E pra, as kryeministri dhe as zëvendësi i tij nuk u ndjenë. “Ne nuk ndërhyjmë në punët e drejtësisë. Kur flet ajo të gjithë duhet të heshtin”, është postulati që e kemi dëgjuar shpesh. A mos vallë ka lidhje pikërisht me ligjin e ri për sistemin e drejtësisë dhe prokurori i thjeshtë është aq i pacënueshëm sa duhet të sulmohet publikisht nga rangjet më të larta të politikës?! Pse në këtë rast kryeministri nuk ka besim si në rastet e tjera tek drejtësia? Çfarë ka ndodhur, çfarë ka ndryshuar? A mund të ndikojë njohja apo informacioni personal i Braçes apo i Ramës për aktivitetin e Pulajt sa ata ti vihen kundër drejtësisë? Pse nuk e bënë të njëjtën gjë edhe në raste të mëparshme? E pyetjet mund të vazhdojnë gjatë e të shumëllojshme…
Kryeministri i vendit po krijon një precedent të rrezikshëm, të ndërhyrjes publike në punën e një pushteti krejtësisht të pavarur siç është Prokuroria. Po njolloset deri në dekujarim një instrument i rëndësishëm në goditjen e korrupsionit në këtë vend. Nga ana tjetër, po përcillet një mesazh i qartë për të gjithë prokurorët por edhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi. Është një “minë” edhe për vetë besueshmërinë e reformës në drejtësi në këtë vend. “Prova” e parë do të jetë apelimin i masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit për Liridon Pula. A do të ketë guxim që një gjyqtar ta lërë pas hekurave pas kësaj mbrojtje publike të kryeministrit për ish- vartësin e tij?!
E në fund, një kujtesë për të gjithë hallexhinjtë që janë endur e po enden dyerve të drejtësisë. Gjeni numrin e kryeministrit ose zëvendësit të tij, bëni një autobiografi dhe dërgojani. PO patët edhe ndonjë rekomandim nga ndonjë deputet apo “i rëndësishëm”, edhe më mirë. Ndoshta kryeministri bindet nga të gjtha këto dhe iu përmend emrin publikisht si “viktimë” e sistemit të vjetër të korruptuar të drejtësisë.
Mbajeni shënim: Prokurori që po përmendet nga Rama e Braçe, nuk do ta kalojë vetting-un! “Biletën” për në “plepa”, ia preu sot vetë kryeministri i vendit! /Nga Blerti DELIJA/