ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

OPINION/ Maqedonia heterogjene si shembull për tu ndjekur edhe nga Shqipëria homogjene…

Këto javët e fundit diskutohet gjërësisht nëse Shqipëria do të arrijë të mbajë hapin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian. Gjithçka pritet të mësohet brenda muajit tetor, kur institucionet e qeverisjes së BE-së, do të mblidhen për të vendosur. A do të hapen negociatat me dy vendet fqinje apo Shqipëria do të lihet pas dere? Në vitin 2001, kur quhej akoma FYROM apo ish- Republika Jugosllave e Maqedonisë, iu dha fund një konflikti të qartë me bazë etnike. UÇK- Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Forcat e Sigurisë së Maqedonisë, krijuan një situatë shumë të rrezikshme që paralajmëronte deri shpërbërjen e këtij shteti multi etnik.

Marrëveshja e Ohrit, ishte pikënisja e të gjitha përparimeve që Maqedonia do të përfitonte. Sot, ka zgjidhur mosmarrëveshjen më të madhe me Greqinë për çeshtjen e emrit, ndërsa është praktikisht antare e NATO-s. E të imagjinosh, se para 18 viteve sapo kishte dalë nga një luftë e rëndë siç është ajo me sfond etnik. Jo shumë larg, në Tiranë, në vitin 1997 Shqipëria u përfshi nga një “marrëzi kolektive”, të cilën shumëkush e konsideron edhe si “luftë civile” e pashpallur. Shqiptarët, me armë, iu këndërvunë njëri- tjetrit.

Zyrtarisht më shumë se katër mijë viktima, të cilat nuk mungojnë edhe sot për shkak të mbetjes në duart e popullatës së qindra armëve që u rrëmbyen apo dolën nga depot e ushtrisë. Që nga ajo kohë, rrugëtimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE ka qenë mjaft i vështirë. Në NATO na përfshinë, sigurisht për interesa gjeo- strategjike dhe festojmë 10- vjetorin. Në BE, ku kriteret politike janë më strikte, është mjaft e vështirë edhe sot, 22 vite pas 1997-ës.

Në Maqedoni, fillimisht u morën vesh maqedonas e shqiptarë. Më pas, kjo palë gjeti kompromis me Greqinë për çeshtjen e emrit. Në Shqipëri, nuk po gjejnë kompromis, dëshirë e mundësi të ulen shqiptarët ndër vedi. Shqiptarë të paktën, nga emrat, deklarimet e tyre apo edhe vendbanimet në këtë tokë. A duhet edhe për Shqipërinë një si lloj “Marrëveshje e Ohrit”?! Në fakt, nëse në vend të komuniteteve pakicë, të vendoset termi “opozitë”, çuditërisht mund të jetë e adaptueshme me disa ndryshime, edhe në vendin tonë. Me përjashtim të gjuhës, të cilën edhe pse me dialekte, të gjithë e kemi të njëjtë. Sepse problemet, sidomos sipas ndërkombëtarëve, vijnë gjithmonë nga opozitat në këtë vend! Ndoshta për 20-25 vite, deri sa jeta të bëjë seleksionimet e duhura, ka nevojë për garanci për këtë pjesë të politikës shqiptare. Ndoshta, disa kritere të përfshihen edhe në Kushtetutë, të paktën përkohësisht. Sepse ky vend duhet të ecë, ka nevojë të ecë, të paktën të mendojmë për ata që do të lindin pas 10- 15 viteve. Të mos përjetojnë të njëjtin kalvar si ne dhe të mos ndjehen të turpëruar kur të rakojnë një shtetas të Maqedonisë së Veriut, qoftë ai shqiptar, maqedonas apo serb. /Nga Blerti DELIJA/

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.