OPINION – Mallkimi i 30 qershorit që ndjek Ramën dhe delegjitimimi i pushtetit vendor si “dëm anësor”…

15 gushti ka shënuar fillimin e mallkimit të 30 qershorit për Edi Ramën. Dorëheqja pa marrë mandatin e kryebashkiakut të Shkodrës nga Valdrin Pjetri, ishte vetëm fillimi i një reaksioni zinxhir që pasoi deri tani me gjashtë kryebashkiakë në telashe me drejtësinë por edhe moralin politik.


Kajmaku i Vorës, Babani i Vau Dejësit, Ismailaj i Mallakastrës, Malaj i Matit dhe sot Alla i Bulqizës, duket se janë vetëm një pjesë e “puzzle” që mund edhe të zgjerohet.

Askush nuk mund të thotë se Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të PS-së, partisë që i propozoi 60 emrat për kryebashkiak në garën vetmitare të 30 qershorit, nuk ka përgjegjësi. Deri tani, pa u mbushur 6 muaj nga marrja e zyrave të bashkive, 10% e kandidatëve të Ramës, rezultojnë së paku me “hije në biografi”, ndërsa disa janë tashmë të provuar si të lidhur me histori, ngjarje e vepra penale edhe të rënda në të kaluarën e tyre.

Askush nuk po e thotë, por këto ngjarje që po zbulohen, po dëmtojnë rëndë edhe imazhin e qeverisjes vendore në këtë vend. Administratorët lokalë të dalë pas 30 qershorit, po ndotin një pushtet shumë të rëndësishëm dhe me impakt direkt tek qytetarët. Jo vetëm përmes shërbimeve por edhe kontaktit të përditshëm të afërt me të zgjedhurit e tyre. Me shpejtësi, po vrapohet drejt delegjitimimit total të këtij pushteti të dalë pas 30 qershorit. Për të njohur cilësinë e verës që ka brenda, nuk është e nevojshme të pihet e gjithë fuqia. E ajo që duhet evidentuar, PD po hulumton për të shkuarën e fshehtë e të padeklaruar të vetëm 60 kryebashkiakëve. Nëse kjo procedurë do të shtrihet edhe në nivelin e këshilltarëve bashkiakë, me siguri fenomeni i inkriminimit, i shkeljes së ligjit përmes fshehjes së veprave penale që penalizojnë kandidimin, do të japë të dhëna llahtarë. Nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perendim, nëse nis verifikimi, numri i këshilltarëve me “hije në biografi” do të jetë në qindra. Sepse tashmë është e qartë si drita e diellit, se “lotaria” e përfshirjes në listat e sigurta të 30 qershorit, qoftë për kryebashkiak apo këshilltar bashkiakë, ka rënë më së shumti tek kjo kategori.

Anija “po fut ujë” ngado por Rama vazhdon të jetë i përqendruar tek pozita më e re ndërkombëtarë, e liderit apo kryesuesit të OSBE-së. I fortë me numrat në Parlament, sipas gjasave vëmendja e tij për zhvillimet në Shqipëri do të jetë më e ulët. Në muajt e apo vitin e fundit në një pozitë të lartë politike në vend, kryesimi i OSBE-së është një joshje që Edi Rama nuk mund të mos e shijojë, me çdo çmim. Këto që po ndodhin në këtë vend, në pushtetin vendor që po ndotet deri në delegjitimim, për Ramën duket se janë vetëm “dëme anësore”, siç flitet me gjuhën balistike. /Nga Blerti DELIJA/