
Disa foto të publikuara në rrjete sociale, më nxitën të jap një opinion shumë modest lidhur me atë që po ndodh me “Tajlandën shqiptare” siç quhet rëndom prej vitesh tashmë lugina e lumit të Shalës.
Para 4-5 viteve, isha ndër vizitorët që grisheshin për ta shijuar këtë mrekulli, e cila deri atë kohë të paktën, konsiderohej kryesisht e natyrës. Sigurisht, kishin nisur ndërtimet e disa bujtinave modeste, me dërrasë, në dy anët e asaj që mund të quhet edhe sot “qendër” e luginës së lumit të Shalës. Më shumë vëmendje i kushtohej ushqimit në disa restorante, në kënvështrimin tim, në harmoni të plotë me natyrën. Për fjetjen, kishte nisur të mendohej por jo aq shumë si kapacitete shtretërish.
Natyrisht kishin nisur të vendoseshin në mënyrë të çrregullt edhe disa çadra, më shumë si aksesorë të lokaleve, të cilat shfrytëzoheshin kryesisht nga klientët e tyre. Poshtë çadrave, kishin nisur të mbinin edhe shezlonge, por që të gjitha, në një sasi modeste, pa cënuar aspak pajsazhin dhe bukuritë natyrore që i ka falur Zoti kësaj zone. Sepse njerëzit, atëherë por edhe sot, grishen pikërisht nga mrekullia e natyrës, ajri, pamje dhe freskia.
Sot, siç mund ta shikoni edhe nga vetë fotot, lugina e lumit të Shalës po i ngjason…Velipojës. Çadrat dhe shezlonget janë të parat që të bien në sy. Hapësira e lëvizjes është kufizuar ndjeshëm, bukuritë e panoramës që ofrohet, po fshihen gradualisht. E gjithë kjo, në emër të fitimit në një zonë që po kthehet në trend. Shkurt, për para.
Ata që ndërtojnë bujtina apo objekte sherbimi në atë zonë, duhet ta kuptojnë se plazhi nuk mund të kthehet në burimin kryesor të fitimit. Amatorët e plazhit, kanë qindra kilometra vijë bregdetare nga Velipoja në Sarandë. Kanë rërë por edhe gurë e zhavorr, sipas dëshirës. Kanë kushte akomodimi të standardeve perendimore dhe sherbim në nivelet më të larta të mundshme. Ajo që e bën të preferuar luginën e lumit të Shalës, është natyra e virgjër, e ruajtur nga ndërhyrjet nga jashtë. Edhe ndërtimet, nëse nuk janë në harmoni me natyrën dhe në raport me hapësirën, thjesht do ta zbehin interesin. Pas disa viteve, edhe investimet e mundshme, milionëshe apo qindra milionëshe, do të shkojnë dëm.
Turistët, sidomos të huajtë që sjellin edhe më shumë të ardhura, tërhiqen nga natyra, thjeshtësia e akomodimit, shëtitjet, bukuritë e pejsazhit, ajri i pastër e i freskët, ushqimet bio dhe traditat e mikpritjes. Mësoni pak nga “historia” e re e turizmit të ri shqiptar. Thethi nuk ka më tërheqjen që ka patur para disa viteve, as edhe Razma. Madje, vëndi i kësaj të fundit, u zu nga Thethi e tashmë edhe ky, po eklipsohet nga Boga por edhe destinacione të tjera. Sepse turizmi malor, ka disa rregulla dhe parësori, ruajtja dhe mirëmbajtja e natyrës.
Nuk është e qartë nëse ndokudh ka bërë ndonjë plan zhvillimi për luginën e lumit të Shalës apo kush ka një copë pronë aty, është vetë zot, vetë shkop për çdo gjë. Do të ishte mirë që edhe kjo copë e vogël mrekullie të natyrës, të futet të optikën e institucioneve sa nuk është shumë vonë. Pa dashur, po prishet edhe një tjetër perlë e natyrës, këtë herë, nga babëzia e njeriut për të fituar pa skrupuj dhe pa menduar për të nesermën. Të moçmit e këtyre zonave, kanë përcjellë brez pas brezi një shprehje, moral jetese: Më mirë një lopë që e mjel përditë se një lopë që e mjel vetëm një ditë! /Nga Blerti DELIJA/