Në një dalje për mediat, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, shpjegoi procedurën e votimit me postë nga jashtë vendit nga shtetasit shqiptarë me 11 maj 2025. Nga procesi fillestar i aplikimit si votues potencial, regjistrimi ne listën e zgjedhësve në qarkun përkatës ku rezulton si votues, dërgimi dhe kthimi i fletës së votimit nga jashtë në KQZ, Celibashi tha shkoqur “nuk mund të garantohet fshehtësia e votës dhe as pengimi i votimit familjar.
Ai tha se postieri në vendin përkatës, shkon deri në tre herë në adresën e çdo shtetasi shqiptar jashtë vendi, duke kërkuar t’ ja dorëzojë personalisht nominalisht votuesit potencial zarfin me fletën e votimit. Në fakt, një postier i huaj, pavarësisht emrit të kompanisë postare, ka interes zero të plotësojë detyrimin që i kërkon ligji shqiptar përmes marrëveshjes me KQZ. Me shumë mundësi, postieri tek e njejta adresë e deklaruar, lëshon pa teklif poshtë derës të gjitha zarfet me fletët e votimit. Nëse do të duhet fimra e marrësit të zarfeve, do të mjaftojë vetëm një, e njërit familjar me mbiemër të njëjtë. Edhe në kthimin e zarfeve, të cilat brenda familjes, mund të plotësohen lehtësisht nga vetëm një dorë, mund ti dërgojë në postë vetëm një pjestar i familjes. Pra, do të ketë votim familjar dhe jo me garanci për fshehtësinë.
Sipas Celibashit, nga rreth 3.7 milion shqiptarë me të drejtë vote, 1.1 janë jashtë Shqipërisë. Është një hambar shumë i madh, jashtë kontrollit total të KQZ, monitoruesve të OSBE- ODIHR dhe çdo institucioni që brenda Shqipërisë, vezhgon zgjedhjet. Pa frikë, nëse “asministrohet” si duhet, është përcaktues për fituesin e zgjedhjeve.
Nuk është e re se, në prag zgjedhjesh, shumë parti investojnë. Investojnë në sigurimin e votës duke paguar para për vota por edhe sjellje emigrantësh nga jashtë për ti mbështetur me votë. Paradoksi është se mundësia e ndikim- manipulimit të zgjedhjeve në 11 maj 2025, është më e lartë, me kosto financiare më të ulët dhe me rrezik më të vogël të goditjes nga ligji shqiptar. Mjafton që partitë të kenë “emisarë” në komunitetet ku jetojnë shqiptarët, para për ti kënaqur votuesit dhe nga jashtë Shqipërisë, mund të vijnë mijëra vota që nuk ka asnjë mekanizëm të kontestohen. Siç tha Celibashi, KQZ vetëm mund ti numërojë fletët brenda zarfeve.
Gara e vetme e votës së diasporës është vetëm ajo e organizimit dhe parave që partitë politike do të hedhin. Pjesa tjetër është “autostradë”, përmes të cilës partitë sigurojnë pushtetin ose…aksidentohen! Në kushtet aktuale, votimi i shqiptarëve nga jashtë është pranim i shkeljes së rregullave elementare të zgjedhjes dhe ndikim- manipulim me ligj i rezultatit të tyre. Këtë e kanë kuptuar partitë politike dhe prandaj po “luajnë” fort në diasporë duke dërguar emisarë e hapur zyra “orientimi” të zgjedhësve. Gjithsesi, kur e pranojnë të gjithë, nuk është shqetësim. Deri pas 11 maj 2025. Pastaj, do të nisë kontestimi nga humbësit… /Nga Blerti DELIJA/