
Protesta mëse 1- mujore, brenda saj ka nisur një protestë të re: kundër pushtetit të katërt siç konsiderohet në të gjithë botën media, ku në Shqipëri nuk u bë kurrë. Mediat tradicionale dhe ato online, janë pjesë e të njëjtit realitet, të cilin protesta tenton ta përmbysë, duke zëvendësuar institucionet kushtetuese me ato të prodhuara nga sheshi me procedura jo legale.
Faktikisht, rrjetet sociale prej vitesh tashmë, kanë zbehur rolin e mediave, të gjitha mediave. Mjafton një celular dhe ngjarjet, edhe protesta, kalon edhe kufijtë e Shqipërisë. Përtej kësaj, roli i mediave, tradicionale dhe online, nuk mund te zëvendësohet, të paktën edhe për disa kohë. Pikërisht përmes tyre, transmetimit live dhe shumë profesional, protesta mori jehonë ndërkombëtare brenda pak ditëve. Edhe transmetimet live të mediave prestixhoze të protestës, si Reuters, u bë në bashkëpunim me media dhe gazetarë shqiptarë.
Nga ana tjetër, mediat dhe gazetarët kanë detyrimin të pasqyrojnë atë që shohin dhe dëgjojnë, me sy apo me kamera, u pëlqen ose jo protestuesve apo atyre që janë kundër saj. Nëse do të vepronin ndryshe, do ishin në shkelje flagrante të parimeve themelore të ushtrimit të këtij profesioni. Nga ana tjetër, gazetarë, kameramanë, punonjës të mediave, si pjesë e shoqërisë, përballen me të njejtat probleme si të gjithë.
Duke nisur nga kushtet e punës e sidomos pagesat që janë në nivele shumë të ulëta, qoftë në shtet, ashtu edhe ne privat. Përballen me presione nga punëdhënësit, deri tek politika e të “fortët”. Çfarë është më e rëndësishmja, nuk kanë një kuadër ligjor që i mbron, një status për ti mbrojtur nga të gjitha drejtimet. Përtej të gjithave, pjesa dërrmuese e gazetarëve, reporterëve, punonjësve të mediat, përpiqen të bëjnë më të mirën në funksionin e tyre publik, në shumë raste duke “harruar” edhe problemet e përditshmërisë si të gjithë shqiptarët.
Gazetarët dhe punonjësit e mediave në përgjithësi, janë njerëz, kanë familje, të afërm, miq e shoqëri por mbi të gjitha, kanë dinjitet, edhe në kushtet jo të lehta të punës, siç janë protestat në përgjithësi. Dhuna, qoftë verbale apo fizike, nuk është një ogur aspak i mirë për protestën. Nëse vazhdon, protesta do të humbasë jo vetëm pjesëmarrje dhe motivim për pjesëmarrje, por do të zbehë edhe qëllimin kryesor të saj. Skena dhuna gjatë protestave, janë parë shpesh në Shqipëri.
Në jo pak raste, përfaqësitë diplomatike, duke nisur nga ajo e SHBA, BE- së e me radhë, publikonin edhe shmangie nga nënshtetasit e tyre në zona ku parashikoheshin protesta të dhunshme. Besoj se asnjë nga organizatorët, ata vullnetmirët edhe për protestën, nuk i duan këto paralajmërime. Sepse do të shënonin fillimin e humbjes me shuarje të kësaj proteste unikale në 36 viteve pluralizëm politik. /ShkodraWeb/




