Skena ku policët godasin me shkopinj gome një qytetar të rrëzuar përtokë, janë më shumë se të turpshme. Jo se nuk kanë ndodhur gjatë këtyre 30 viteve, por nuk mund të justifikohemi në 2019-ën me “i kemi parë edhe në “regjimin e Berishës” skena të tilla”. Berisha prej 6 vitesh ka marrë “dënimin” me opozitë nga shqiptarët dhe prej 3 muajsh, është totalisht një qytetar i zakonshëm i këtij vendi, pa asnjë lloj mbrojtje pas dorëzimit të mandatit.
Falë transmetimeve direkte të dhjetra mediave, shqiptarët kanë mundur të shohin çdo aspekt të protestës së rradhës të opozitës. Sait Dollapi, sidomos para Kryeministrisë, shihet vazhdimisht duke u përpjekur tëpërmbajë protestuesit përballë uniformave blu. Madje, në disa pamje ai shihet pertej hekurave, në anën e policëve.
Për të disatën herë, policia në mënyrë të pashpjegueshme ushtron dhunë, hedh gaz lotsjellës kur është totalisht zotëruese e sheshit, thuajse pa asnjë “këmbë” protestuesi. Kështu ndodhi edhe mbrëmë para Kuvendit. Sheshi ishte në dorën e policisë pasi protestuesit u shpërndanë me gaz lotsjellës. Pikërisht në atë moment, policë të ekzaltuar, fshehur pas skafandrave, ndjekin nga pas Sait Dollapin, i cili rrëzohet dhe në atë moment bie nën “breshërinë” e goditjeve të shkpoinjëve të gomës, të duarve dhe të shqelmave të “ruajtësve të rendit dhe të jetës e shëndetit të qytetarëve”. Gjithçka e dokumentuar “live” në kamera.
Në studio televizive, u komentua se policët nuk e kanë njohur Sekretarin Organizativ të PD-së prandaj e goditën. Mesazhi është i qartë: I njëjti fat pret çdo qytetar protestues shqiptar… Po cili ishte mëkati i Sait Dollapit? Pamjet tregojnë se nuk bëri asgje. Në duar mbante vetëm dy “armë”: Një kundragaz për tu mbrojtur nga gazi lotsjellës dhe një celular. As nuk goditi, as nuk shtyu askënd. Të njejtën sjellje “prej polici” bënë edhe ndaj ish- deputetes tjetër, Albana Vokshi. Është e qartë se “truri prej polici” është trimëruar tani që opozita ka dorëzuar mandatet e deputetit. Tani mund të shtyhen, të goditen, të dhunohen sepse janë thjeshtë qytetarë, pa imunitet. E këta palo policë harrojnë se paguhen nga taksat e atyre që dhunojnë, si në rastin e Dollapit, Vokshit apo dhjetra të tjerëve. E këta gjoja- njerëz të fshehur pas skafandrave, harrojnë se edhe një kriminel, kur është në duart e shtetit, duhet të trajtohet me dinjitet, pa dhunë. E këta injorantë me uniformë, kur janë përballë turmave të protestuesve, janë të qetë si pula e marrin zemër kur kanë përballë individë të pambrojtur. E janë këta policë që kur ndryshohen drejtorë, ministra apo qeveri, justifikohen si legena “kishim urdhër të godisnim ose të hiqnim kapelet nga koka”.
Në qoftë se jo Edi Rama apo ministri Lleshaj, të paktën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë duhet të dalë dhe të kërkojë ndjesë, të distantohet jo vetëm nga goditjet ndaj Sait Dollapit, por edhe kontakti fizik i policëve me Albana Vokshin. Është në nderin dhe në besueshmërinë e Policisë së Shtetit të veprohet kështu. Policia e Shtetit nuk mund të konsiderohet më si “armë në duart e shtetit të diktaturës së proletariatit”. Në demokraci, detyra parësore e policisë është garantimi i jetës dhe shëndetit të qytetarëve, i të gjitha të drejtave kushtetuese dhe në fund, garantimi i rendit dhe qqetësisë publike. Dikush duhet t’ua shpjegojë këto atyre që veshin uniformë blu, si mundësia e fundit për të siguruar “bukën e gojës” në këtë sistem që po rreshqet frikshëm drejt demokraturës. E për ta mbyllur, a ju kujtohet “21 janari”, katër të vrarët dhe dhuna ndaj policisë? A mund të krahasohet me atë çfarë ndodhi me 12 maj 2019..? Një nga gardistët e “21 janarit” është në listat e PS-së për kryetar bashkie, diku andej nga Mati… /Nga Sokol N. SOKOLI/