Po bën xhiro nëpër Itali video e një zonje që nga ballkoni i “degjeneron” një grup burrash të ulur në një stol. Dhe ata ikin me “bisht ndër shalë” pas fjalëvë të zonjës, e cila iu kujton atyre se ajo vetë ka shumë gjëra më të rëndësishme sesa ata për të bërë jashtë shtëpisë, por për të mirën e të gjithëve, zbaton me përpikmëri ligjin.
Në këtë historinë e tangarllëkut: “Jo, unë nuk mbyllem, jo unë do dal”, ka disa gjëra për tu analizuar.
Se pari funksionimi jo normal i trurit të individit që del se nuk ka qejf “me ndejt ndry në shpi”. Sikur ata mijëra të tjerë që nuk dalin nga shtëpia, janë aq të fiksuar pas jetës së heremitit saqë mbyllen në dhoma dhe bëjnë kokrrën e qejfit.
Që të jemi të qartë. Të gjithë ne që këtu në Facebook dhe e kemi marrë me sportivitet karantinën, kemi një jetë tjetër përtej asaj monotones në shtëpi. Jete aktive e dinamike, por edhe burim të ardhurash, të cilat prej ditësh na janë ndërprerë. Të gjithë ne, kur vjen darka bisedojmë sesi do shkojë kjo situatë, sa do zgjasë, si do bëjmë në një të neserme të afërt. Të gjithë ne, bashkë me femijët tanë po e vuajmë këtë situatë, paçka se hedhim statuse e video për të ngritur sa më shumë moralin. Të gjithëve ne na dhemb shumë kjo situatë absurde dhe e rrezikshme për jetët tona, fëmijëve e vecanerisht prindërve tanë të moshuar.
Ne që kemi zgjedhur karantinën nuk po bëjmë qejf, por po përshtatemi me çdo formë për ta bërë sa më të lehtë këtë. Ata që bredhin gjithë ditën qyteteve, duket se e kanë kuptuar krejt gabim.
Normal që në Shqipëri situatat financiare të individeve përkthehen “një ditë pa punë-një ditë pa bukë”, prandaj as nuk guxoj ti kërkoj njeriu të mos dalë në punë. Por unë po flas këtu për tipat që dalin thjesht se “po i ha shtëpia”, apo me keq, dalin “për kunj të Ramës”. Kjo është dritëshkurtësi, është fyerje për secilin individ që ka kuptuar rëndësinë e situatës, dhe së fundi është shkelje e ligjit.
Gjuha e ashpër e kryeministrit në shumë raste është e papranueshme. Çdo shqiptar, krahas masave pret dhe paketën e lehtësive për secilin individ dhe biznes në territorin e vendit. Ndërsa në rastin e “gangove të karantinës”, unë do preferoja forcën e ushtrisë, për ti treguar secilit se vendi i tij sot është në shtëpi e jo duke dredhur zinxhirin bordurave të shesheve. Kush s’ka tru, të paktën të ketë b#thën me vete kur del. /Nga Taulant KOPLIKU/