OPINION – Kur mediat kthehen në hanxhar jo në funksion të interesit publik…edhe me ndihmën e gazetarëve…

Nuk është aspak e lehtë të flasësh duke qenë palë. Si gazetar prej vitesh, instikti më shtyn të jem në krah të kolegëve në çdo përballje të mundshme me institucione e individë. Por sigurisht, disa gjëra edhe jo shumë pozitive duhen thënë e pranuar edhe nga kjo anë e barrikadës.

Jemi “pushteti i katërt” jo për meritë të vendit ku ushtrojmë aktivitetin apo profesionin tonë. Për rreth 50 vite, “Zëri i Populllit” dhe disa bijëza të saj, përfaqësonin “pushtetin e katërt” në këtë vend, pa harruar edhe një “dritare” gjithmonë të mbyllur siç ishte TVSH. Në botën e qytetëruar, të cilës iu bashkuam pas 1990- ës, gazetarët e mediat kishin rrëzuar me punën e tyre profesionale presidentë e kryeministra të fuqishëm e me ndikim ndërkombëtar.


E nëse jemi apo quhemi “pushteti i katërt”, fatkeqësisht më shumë është një “fake news”. Ne vazhdojmë të punojmë pa patur një kuadër ligjor apo ligj rregiullator. Profesioni, përdorimi apo administrimi i tij, është në dorën e gjithsecilit. Ngjarje të njëjta, në jo pak raste, ia përcjellim publikut totalisht të ndryshme. Shpesh, nga e bardha në të zezë e anasjelltas, pa patur në mes as grihen. Nuk shqetësohemi aspak as kur marrim në dorë “hanxharin”, sepse askush nuk mund të na heqë të drejtën të ushtrojmë një profesion publik dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek qindra, mijëra apo miliona njerëz në varësi të audiencës.

Jo pak nga ne por nuk mund të quhen as fenomen, janë pasuruar nga ky zanat. Një nga emrat e njohur të këtij profesioni, Indro Montanelli do të shkruante “Po ne jemi përherë të paguar pak, sepse ky zanat nuk bëhet për lekë. Përkundrazi, në rast se takoni një gazetar të pasur, mos e besoni. Gazetaria nuk të çon në pasurim, mund të të çojë në mirëqenie, për hir të së vërtetës. Unë nuk ankohem, kam aq sa më mjafton, bile edhe më shumë për të jetuar mirë. Por, një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.”. Besoj se komentet janë të tepërta.

Në kushtet kur nuk kemi një ligj që na rregullon profesionin, ligji janë ata, të cilët kanë mundësi të hapin e financojnë mediat: Pronarët! Sigurisht, meritojnë respektin më të madh sepse falë tyre, qindra e mijëra shqiptarë, sigurojnë mbijetesën, jetesën e disa syresh, pasurimin. E në këtë qerthull të krijuar, sigurisht që edhe pronarët kërkojnë të kenë përfitime përmes bisnesit të tyre në media. Duke qenë një “vrimë” që vështirë mbyllet shpejt, mediat nuk ofrojnë ose në rastin më të mirë, sjellin fitime minimale. E më pas, mbetet të sigurohen “fitime” të tjera…

Mjeti për ti arritur jemi vetë ne, gazetarët, punonjësit e mediave. Përveç interesave tona, tashmë duhet të realizojmë edhe interesat e pronarëve. Sepse janë këta të fundit që na licensojnë si gazetarë, si punonjës mediatikë. Ata na bëjnë e na zhbëjnë si gazetarë, edhe pse tashmë në epokën e rrjeteve sociale, të gjithë kemi mundësi të kemi “median” tonë.

E kështu, tashmë nuk njohim më limite. Punojmë fillimisht për vete, më pas për pronarët…e në fund për audiencën apo interesin publik. E këto rreshta, për të disatën herë, dolën si pa kuptuar teksa pashë kronikën e radhës të “emisioneve investigative” që marrin përpara këdo që i del përpara, duke i dhënë vetes të drejta pa kufizim dhe domenin e të vertetës absolute. Janë emisione me staf jo të vogël, me shpenzime të konsiderueshme dhe me buxhet të vetësiguruar nga “puna e përditshme” dhe jo nga media ku janë atashuar. Ata që punojnë në media apo kanë punuar, e kuptojnë atë që po them.

Të gjithë nën zë biem dakort se këto formate nuk respektojnë të drejtat e liritë as më elementare, as ruajtjen e privatësisë. E nisën rrugëtimin si fotokopje të formateve të huaja, kryesisht ato të mediave italiane. Por tashmë kanë marrë superxhiro, duke u kthyer në pushtet të parë, edhe mbi ata që me votë apo me ligje, e kanë këtë pozicion kushtetues. Sigurisht, kujtohemi për të gjitha këto vetëm kur prekemi direkt ose indirekt në vetë të parë. Deri në atë moment, çdo herë i japim të drejtë kolegëve. Edhe pse e dimë se vetëm investigim, gazetari ajo nuk është. /Nga Blerti DELIJA/