Prej disa muajsh, “Zëri i Amerikës” është kthyer në një pikë referimi për lajmet që lidhen me Shqipërinë. Sidomos, ato për politikën. Jo vetëm mediat e reja apo portalet siç quhen rëndom, por edhe media tradicionale e kanë pikë referimi.
Fenomeni është në kufijtë e të pabesueshmes. “Zëri i Amerikës” është një gjigant ndërkombëtar informacioni. Pavarësisht se pjesë e administratës shtetërore amerikane, janë krijuar mekanizmi që garantojnë paanshmërinë dhe pavarësinë.
Si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri ka korrespondentët e vet. Ata raportojnë çdo ditë në qendër, me shkrim, zë dhe figurë. Praktikisht, raportojnë të njëjtat lajme si edhe kolegët e agjensive të tjera ndërkombëtare apo edhe të mediave shqiptare.
Mediat tradicionale i përcjellim me bujë e jehonë lajmet që prodhohen nga “Zëri i Amerikës”, edhe pse është i njëjti burim informacioni që shfrytëzohet në Shqipëri. Për shembull, një deklaratë e Presidentit të Republikës, përpara 100 mikrofonave dhe e transmetuar LIVE nga mediat shqiptare, merr më shumë peshë kur transmetohet nga “Zëri i Amerikës”, qoftë edhe pas 5-6 orëve. E njëjta gjë për kryeministrin, liderin e opozitës etj.
Në fillim të viteve ’90, “Zëri i Amerikës” ishte media që i referohej çdo shqiptar. Natyrisht, në kushtet kur kishte vetëm një “megafon qeveritar” si TVSH dhe ndonjë gjysmë- radio periferie që tentonte të përhapte informacion alternativ.
Sot pas 30 viteve, mediat shqiptare po kthehen në “përsëritës” të informacioneve të tyre, por që vijnë nën siglën e “Zërit të Amerikës”. Nuk mendoj se mund të flitet për mungesë lirie, sigurisht as edhe të mediave, qoftë tradicionale apo të reja. Nuk besoj se është thjesht dhe vetëm çështje besueshmërie mediatike apo profesionalizmi të gazetarëve. Pra shkurt, nuk mund ta përmbledh me një togfjalësh të vetëm: Inflacion mediatik në Shqipëri!
Kam përshtypjen që po kthehemi në gjurmët e 1990- ës. Atëherë kur çdo gjë që vinte nga jashtë, në formë fizike apo edhe “valore”, është më e mirë nga ajo që kemi apo prodhojmë vetë. Edhe sot si para 30 viteve, jemi kthyer në “E tha Zëri i Amerikës…”. E thënë troç e shkurt: “Pushteti i katërt”, si të gjitha pushtetet e tjera në këtë vend, nuk kanë marrë akoma fuqinë reale që duhet të ketë! Pa harruar edhe “gjëja e tjetrit, të duket gjithmonë me e mirë se e jotja”. /Nga Sokol N. SOKOLI/