“Do të dëshiroja të vinte të kandidonte të hynim në një garë të vërtetë dhe të shikonim kush do fitonte”. Kështu shprehej Monika Kryemadhi në qershorin e 2019- ës kur mendohej se Ilir Meta do ti kthehej jetës normale pas lënies së Presidencës. Ndërsa sot, në një fjalim para antarësisë së LSI- së Kryemadhi ka ndryshuar qendrim. “Jam e bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI do të kthehet te ju”, ka thënë sot ajo duke i paraprirë rikthimit të Ilir Metës në drejtimin e LSI- së, partisë që vetë themeloi.
Në zgjedhjet e 2017- ës LSI mori 19 mandate deputetësh, 3 më shumë se në vitin 2013. Zyrtarisht, pas dorëheqjes së Ilir Metës që u zgjodh President i Shqipërisë, LSI- në e drejtoi Petrit Vasili. Pavarësisht kësaj, Meta ishte aktiv në fushatën e 2017- ës, duke lënë të kuptohej se rezultati pozitiv i faturohej pikërisht atij. Jo vetëm kaq. Në këtë linjë, drejtimi i LSI- së u kthye në familje me ngjitjen e Monika Kryemadhit si kryetare pas dorëheqjes së Vasilit nga ky post.
Për gati 4 vite, Kryemadhi provoi të përsërisë suksesin e Metës, por nuk ia doli. Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, LSI u tkurr gati pesë herë, duke u reduktuar në vetëm 4 mandate, aq sa siguroi Meta në vitin 2009, por duke hyrë në bashkëqeverisje 4 vjeçare me Sali Berishën. Duket se ishte e njljta skemë, ku LSI u shenjestrua nga dy të mëdhenjtë PS dhe PD. Por nën drejtimin e Kryemadhit, 4 mandatet nuk ishin “të arta” pasi PS mori shumicën e mandateve e vetme.
Sot, Monika Kryemadhi pranoi dështimin në drejtimin e LSI- së. U dorëzua pa garë përballë bashkëshortit, të cilin tashmë nuk e sheh si rival në garën për LSI- në por si një shef në partinë që Kryemadhi drejton. Por ndryshe nga viti 2017, kur Vasili dha dorëheqjen, Kryemadhi mesa duket ka vendosur të qëndrojë edhe disa muaj, për ti hapur më pas krahun Metës. Rikthimi i Metës mund të jetë brenda më pak se një muaji, nëse Gjykata Kushtetuese miraton vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës por mund të jetë edhe pas 7 muajve, kur me 24 korrik 2022, skadon mandati i tij si president.
Rikthimi i Metës në krye të LSI- së shihet si një mundësi ringritjeje apo sfidë e re për këtë parti politike. Është e qartë tashmë se Vasili, Kryemadhi, Rama apo kushdo tjetër, nuk mundi dhe nuk mund të krijojë lidershipin e nevojshëm, atë që mund të ofrojë Meta. Nga ana tjetër, rikthimi i tij në LSI- pjesë e opozitës së këtij vendi, mund të përkojë me rikthimin e Berishës në krye të PD- së. Janë një dyshe që kanë bashkëpunuar jo radhë herë dhe duhet pranuar se ky binom e forcon dukshëm faktorin opozitar në vend.
Nga ana tjetër, po përflitet se Meta do të ketë edhe ai, fatin e Berishës. Burime të ndryshme pohojnë se Meta sapo të lërë Presidencën, mund të shpallet “non grata”. Atij në fakt nuk i prish shumë punë nëse ndodh kështu, sepse nuk mund të sulmohet për “lënie mandati”, sepse nuk mund ta zotërojë deri në zgjedhjet e radhës politike. Mund të penalizohet nëse ligji do të ndryshojë, duke parashikuar moslejimin e kandidimit për individë “non grata”. Gjithsesi, viti 2022 parashikohet të ketë zhvillime të rëndësishme politike, ndoshta nga muaji i parë. Data e 8 janarit por edhe 18 janari, mund të sjellin një “stinë” të re politike në vend. /Nga Blerti DELIJA/