Mjekët janë kryeheronjtë e këtyre ditëve. Po përballen duke u vënë në mes pacientëve dhe një armiku të panjohur siç është virusi korona. Sakrifica e tyre është në nivelin më të lartë të mundshëm, në rrezik të përhershëm për jetën e tyre duke luftuar të shpëtojnë jetët e të tjerëve. Mirënjohja për ta është detyrim siç edhe ndjesa që shumë nga ne duhet ta bëjnë edhe publikisht për fjalët apo rreshtat që keni hedhur.
Në mëngjes kur dal nga shtëpia apo kur kthehem, në kryqëzim takon disa djem me uniformë. Janë policë dhe ushtarë, dallohen lehtë nga uniformat e tyre. I përshëndes, në jo pak raste ndalen e flas, i pyes, më pyesin. Janë thuajse të njëjtat fytyra çdo ditë që qëndrojnë në rrugë, në diell, erë e të ftohtë.
Në një tjetër kryqëzim, përsëri disa të tjerë e kështu me rradhë në disa rrugë të Shkodrës. Pranë tyre por edhe në rrugë, trotuare e sheshe të tjera, shumë gazetarë e kameramanë. Edhe ata në përballje me pandeminë, edhe ata në krye të detyrës për të informuar por në këtë rast, më shumë për të sensibilizuar por edhe ndihmuar njerëzit në nevojë. E kam provuar dhe po e provoj personalisht dhe të gjithë gazetarët e dinë për çfarë e kam fjalën.
Prej shumë ditësh, rrugët e institucionet publike por edhe mjaft private, po dezinfektohen. Procesi ka nisur që me 10 mars e vazhdon pandërprerë. Deri tani Shkodra si qytet, fatmirësisht nuk ka akoma asnjë rast me të infektuar dhe sigurisht, të gjithë këto burra që dezinfektojnë pa u lodhur, pa u frikësuar, kanë edhe ata meritën e tyre.
Epidemia ka krijuar probleme jo të vogla në Shkodër. Sidomos të moshuarit, familjet me të ardhura të pakta dhe ato që kanë humbur “krahët e punës” për shkak të mbylljes së bizneseve, kanë nevojë deri edhe për “bukën e gojës”. Mund t’ju duket patetike, mos më besoni mua, flisni me gazetarët. Kërkojini tu tregojnë mesazhet pafund që u mbërrijnë çdo ditë në celularët e tyre, pa folur për kontaktet përballë me më nevojtarët. Janë drejt e vajza në moshë të re, ata që sot po mundësojnë furnizimin me pako ushqimore e materiale të tjera higjienike për këto persona e familje. Edhe ata, siç të gjithë sa përmenda më sipër, janë në një rrezik të vazhdueshem për të marrë infeksionin e frikshëm. Megjithatë, vazhdojnë dhe besoj se do të vazhdojnë deri sa kjo pandemi të zbutet deri në shuarje.
Që të gjithë, në një mënyrë apo tjetër janë të rrezikuar. Njerëzit që takojnë, mjetet që përdorin, mund të fshehin në çdo moment rrezikun e infektimit nga virusi dhe me pasoja të rrezikshme për ta dhe familjet. Kjo vlen për policët, ushtarët, gazetarët, punonjësit social, policët bashkiakë…etj., etj., etj.
Nuk mund ta rri pa i hedhur këto rreshta. Jo pse nuk vlerësoj mjekët dhe kontributin e tyre të vyer në këto momente shumë të vështira. Shumë prej tyre i kam miq dhe i kam provuar aftësitë e humanizmin e tyre tek njerëz të afërm e të njohur. Ashtu siç e dinë që mes tyre, ka edhe nga ata që para “betimit të Hipokratit” besojnë atë të hipokritit. Ashtu siç ndodh në fakt me çdo zanat e profesion.
E për ta mbyllur, pa dashur ta teproj me fjalën “heronj”, kjo periudhë e vështirë që po jetojmë, i bën të gjithë, më saktë shumicën e të gjithëve, të nxjerrin më të mirën e mundshme nga vetja e tyre. Asnjëri nga ata që përmenda pa emra, nuk po bën një punë të zakonshme brenda detyrës së tij. Në të gjitha kuptimet, është e jashtëzakonshme kjo situatë dhe në këtë nivel, duhet të jetë edhe qasja. Dikush mund ta mbyllë shkurt “po bëjnë punën e tyre”, “paguhen për të” e të tjera si këto. Sa mirë do të ishte që secili të bënte punën e tij! Shqipëria nuk do të ishte këtu e kështu e unë nuk do të isha duke shkrujtur këto rradhë. /Nga Blerti DELIJA/