Mundësitë që KAS- i i KQZ- së apo edhe Kolegji Zgjedhor të marrin vendime që mund të ndryshojnë rezultatin e “25 Prillit”, praktikisht janë afër zeros. Indiciet e deritanishme tregojnë se tre nga 5 antarët e KAS, të zgjedhur me vullnetin e PS- së nga Kuvendi, do të jenë solidë në vendimmarrjen e tyre kundër ankimimeve të PD-AN dhe LSI- së. Megjithatë, ligjërisht nuk ka rrugë tjetër. Një moment i tillë, mund të jetë moment reflektimi se si duhet të ndërtohet KQZ dhe trupat e saj përbërëse, duke filluar edhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Një ish- kryetar KQZ- je, më pas ministër në qeverinë socialiste të Ramës, nuk mund të jetë sot një Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve i paparagjykuar, edhe i kontestuar në vendimmarrjet e tij. Një nga këto vendimmarrje? Heqja e emrave të kandidatëve për deputetë nga listat e zgjedhjeve, duke lënë vetëm numra. Është botërisht e njohur se vetëm një pjesë e vogël e njerëzimit, i kanë marrëdhëniet korrekte me numrat në kuptim dhe interpretim, sidomos kur duhen kombinacione si në zgjedhjet e “25 Prillit”.
Pas vendimit të Celibashit, nuk ishte e vështirë të kuptohej se edhe KAS- i por edhe Kolegji Zgjedhor, të ishin në një linjë. Rezultati? Më shumë se dyfishim i votave të pavlefshme të shqiptarëve në vetëm katër vite më pas, nga 2017- a e këtej. Edhe për KAS- in e Kolegjin Zgjedhor, vlen shprehja “me ke je…me atë që sundon Kalanë”. E kalaja e shqiptarëve me 25 prill, sundohej nga Edi Rama.
Në Shqipëri është e vështirë të gjendet njerëz 100% të paanshëm, të pandikueshëm politikisht. Qofshin këta mësues, avokatë, doktorë, infermierë, elektricistë etj., që të gjithë, në një moment siç janë zgjedhjet, përgjithësisht nuk i shpëtojnë tifozllëkut politiko- partiak.
Çfarë duhet bërë? Fatkeqësisht, edhe për shumë vite, duhet zgjedhur e keqja më e vogël e mundshme. A ka një skemë për përzgjedhje më të paanshme për KQZ- në e trupat e saj? Mund të ketë më shumë se një, por të paktën një na e sugjeron vetë kushtetuta. Mënyra e zgjedhjes së antarëve të Gjykatës Kushtetuese për shembull. Janë tre trupa: Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, që bëjnë përzgjedhjet e tyre. Natyrisht, të paktën Presidenti dhe Kuvendi, janë trupa politike. Por për KQZ- në, mund të përdoret një skemë e ngjashme, duke futur në lojë edhe faktorin “fat”.
Për shembull, Gjykata e Lartë, nga radhët e saj, mund të zgjedhë Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Meqë kanë kaluar apo do të kalojnë të gjithë venttingun, çdonjëri prej tyre është “i zgjedhshëm”. Le të hidhet short, njëri prej tyre të bëhet Komisioner për vetëm një palë zgjedhje dhe emri i tij të përjashtohet si kandidat në zgjedhjet pasuese, qofshin ato politike apo administrative.
Trupa e Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë, mund të përzgjedhë shumë mirë nga radhët e saj trupën e KAS- it të KQZ- së. Edhe ajo me short, për vetëm një palë zgjedhje dhe përjashtim për rizgjedhje në ato pasaardhëse.
Trupa e Gjykatave Administrative të Apelit, mund të përzgjedhë nga radhët e saj Kolegjin Zgjedhor, me të njëjtat rregulla e kritere si më sipër. Sigurisht, këto role mund ti marrin edhe Gjykatat e Shkallës së Parë apo edhe Gjykatat e Apelit, por ndoshta gjykatat administrative janë më të specializuara për të gjykuar procese siç janë zgjedhjet.
A mund të jetë zgjedhja më e mirë e mundshme? Ndoshta jo, por deri sa të gjendet një tjetër, pse jo të mos provohet. Ajo që mund të “këpusë” zinxhirin e ndikimit politik, ndoshta mund të jetë fakti se vendimmarrja e tyre është vetëm për një palë zgjedhje. Nga ana tjetër, gjyqtarët janë vazhdimisht në monitorim- survejim nga agjensitë ligjzbatuese, një garanci më shumë se respektojnë vetëm ligjin dhe mundësia e ndikimit është e vogël.
Nga ana tjetër, gjyqtarët janë ndër kategoritë më të mirëpaguara, të privilegjuara edhe me kushte të tjera, siç është siguria e tyre dhe familjarëve në rast kërcënimi. Po ashtu, kanë mbi kokë edhe një organ që i monitoron dhe gjykon siç është Këshilli i Lartë i Gjyqësorit.
Sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, është një person që nuk monitorohet, gjykohet apo penalizohet për veprimet e padrejta nga askush. Edhe antarët e KAS- it, janë aty vetëm si shprehje e vullnetit politik të pozitë- opozitës dhe nesër, pas mbarimit të mandatit, mund të jenë edhe të papunë. Kolegji Zgjedhor, është një trupë që në të shumtën e rasteve, i merr vendimet “për inerci” të trupave poshtë tyre, natyrisht edhe me ndikim nga politika. Nëse Komisioneri dhe KAS do të ishin brenda të njëjtit “lloj”, pra gjyqtarë, logjika e vendimmarjes do të ishte më e konsoliduar.
Gjithsesi, deri në një alternativë tjetër, edhe kjo do të konsiderohej “prova e radhës” për përmirësimin e sistemit të zgjedhjeve në këtë vend. E provat mund të vazhdojnë pafundësisht, të paktën deri sa shqiptarët të jenë aq të pasur sa të mos mendojnë shitblerjen e votës dhe që partitë politike të bindin votuesit me ide dhe programe e jo me “argumente të tjera” dhe “të fortë”. /Nga Blerti DELIJA/