Dhe ja ku vjen edhe fundi i futbollit shqiptar për vitin 2020. Një vit i mbrapshtë për gjithçka e këtu nuk përjashtohet as sporti. Mes panikut dhe frikës së Covid-19 apo edhe kaosit të bojkotit ishte ky vit futbollistik. Por kjo ndeshje e fundit e këtij viti ndoshta na ëmbëlson pak para ndërrimit të viteve.
Sot luhet ndeshja më e madhe e kampionatit tonë, Klasikja, Tirana – Vllaznia. Dy ekipet që kanë dhuruar duele të paharrueshme, lojtarë pafund, si edhe furnitorët numër një të kombëtares. Për mua si tifoz i Vllaznisë dhe si shkodran ndeshja që më emocionon gjithmonë është kjo kundër Tiranes.
Mbaj mend që na kanë bërë të “vuajmë” duke na shkaktuar humbje të hidhura. Duelet ndoshta të viteve 2000 (që i mbaj mend) ishin të pakrahasueshme kundër bardhebluve.
Vllaznia edhe në atë periudhë ishte nga më të mirat në Shqipëri me lojtarë të mëdhenj si: Grima, Beqiri, Osja, Belisha, Sinani, Salihi, Martini e shumë e shumë të tjerë, por edhe Tirana mbarte në gjirin e saj emra klasi si: Nallbani, Sina, Dede, Muka, Merkoçi, Fortuzi. Ndeshjet ishin një betejë sportive më vete e shpesh kampionati vendosej në ato duele direkte.
E sot që po shkruaj, Vllaznia është rikthyer të jetë në krye të Superligës. Ndoshta për shumë kënd surprizë, por është historia dhe tradita që e kërkon të jetë në krye. E po sot luhet ndeshja aq e dëshiruar nga ne, ajo kundër Tiranes. Përveç spektaklit që dëshiroj në fushën e lojës, shpresoj që t’i kthejmë “reston” e viteve të kaluara bardhebluve dhe sot në kryeqytet uroj që Vllaznia të vendosë tullën e parë për fitimin e këtij kampionati.
Rruga është e gjatë dhe si të fitosh, barazosh apo humbësh nuk do vendosë asgjë tani, por prestigji dhe krenaria që merr po fitove Klasiken nuk krahasohet me asnjë tjetër. Prandaj, forca Vllaznia, na dhuro fitoren e rradhës dhe na bëj të ëndërrojmë! /Nga Endri ÇINARI/