OPINION – Koha që edhe Vllaznia të mendojë për një kompleks sportiv në sherbim të futbollit në Shkodër…

Stadiumi “Loro Boriçi” është një aset shumë i rëndësishëm sportiv, që kalon edhe kufijtë e Shkodrës. Fatmirësisht, përveç futbollit, ai mund të shfrytëzohet edhe nga sportet e tjera, qoftë pista e tij për atletikën e përgatitjen fizike të disiplinave të ndryshme por edhe ambjentet e brendshme si palestra ose ambjente stervitje. Sigurisht, mirëmbajtja nuk është e lehtë, ka kosto por tashmë të gjithë jemi para faktit të kryer: Të detyruar për të mirëmbajtur si një xhevahir për Shkodrën e sportet e saj.

Prej kohësh është diskutuar për mungesën e një kompleksi sportiv, veçanërisht për futbollin. Ndërsa nuk ka më probleme për ndeshjet zyrtare në një impiant si “Loro Boriçi”, mbetet problem i pazgjidhur stërvitja e ekipit të parë por edhe tyre të Akademisë Vllaznia. Nuk është aspak normale që ekipi i parë por edhe ekipe të Akademisë, të jenë në kërkim të fushave stërvitore me qira. Jo vetëm kaq, në varësi të kushteve të motit, kthimit të fushave në të papërdorshme për shkak të rreshjeve të shiut që në Shkodër nuk mungojnë asnjëherë, dëmtohet edhe procesi stërvitor. Kjo, jo pa pasoja, siç e ka pohuar shpesh edhe trajneri aktual i Vllaznisë Brdariç.

Tapeti i Fushës Sportive “Reshit Rusi”, nuk ofron shumë mundësi. Përveçse sintetik, ai nuk është as në kushtet e duhura për stervitjen e ekipeve të Akademis, aq më pak të ekipit të parë të Vllaznisë. Mbase është momenti të gjendet një zgjidhje, si ato që kanë gjetur shumë klube të tjera, mes të cilave edhe Partizani. Kompleksi i tyre sportiv, është në vijim të punimeve dhe shumë shpejt do të përfundojë. Nga ajo që raportohet, do të ketë disa fusha stërvitore, hotel por edhe zyra për administratën.

Tashmë kur është kristalizuar jo vetëm pronari i ri i KF Vllaznia sh.a. por edhe dëshira e Bashkisë Shkodër për të vijuar mbështetjen e ekipit kuqeblu, është momenti që të mendohet seriozisht për një kompleks sportiv bashkëkohor. Madje, është domosdoshmëri që të projektohet, të sigurohen investimet dhe të nisë puna. Bashkëpunimi i pronarit të KF Vllaznia sh.a. me Bashkinë Shkodër por edhe me faktorë të tjerë, mund të sjellë nisjen e këtij projekti brenda një kohe jo shumë të largët.

Përveç procesit të stervitjes, në një kompleks sportiv mund të bëhet edhe grumbullimi i ekipit para çdo ndeshje, mund të ketë ambjente edhe për strehimin e ushqimin e futbollistëve jo shkodranë por edhe zyrat e klubit, të paktën të Akademisë Vllaznia. Në varësi të vendit që mund të gjendet, mund të krijohen edhe njesi tregtare, në sherbim të shkodranëve e më tej, përfshi edhe dyqan për aksesorët e Vllaznisë së futbollit. Përveç të tjerave, një kompleks i tillë do të rriste interesin e moshave të reja për futbollin, do të rriste cilësinë e stervitjes dhe akomodimit, duke u reflektuar në shtimin e talenteve të reja, në vijimësi edhe të ardhurave për klubin. Po ashtu, përveç stadiumit “Loro Boriçi” fushat e kompleksit mund të gjeneronin të ardhura nga qiradhënia për klube e ekipe që nuk kanë akoma infrastrukturë sportive.

Çfarë është më e rëndësishmja, do të rritej interesi i tifozëve jo vetëm për seancat stervitore e por jo vetëm të ekipit të parë, por edhe të Akademisë Vllaznia, duke ofruar kushte optimale për ndjekjen e ndeshjeve përgatitore e miqësore. /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel

ShkodraWeb Channel

Open

Close