OPINION – “Kocka” e rradhës që i hidhet opinionit publik nga Rilindja…

Nesër në Kuvend, në seancë plenare, Edi Rama do të bëjë provën gjenerale të marrjes së një bonusi mjaft të rëndësishëm në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit. Mbajtja e listave të mbyllura është vetëm sebepi ndërsa qellimi i vërtetë është pamundësimi koalicioneve parazgjedhore.


Vetëm 24 orë përpara, opinionit publik por jo vetëm, i hidhet “kocka” e rradhës për ta çorientuar nga ajo çfarë po gatuhet sonte në prapaskenë dhe që mund të ndodhë nesër: Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një ligj me shumicë të cilësuar, në mënyrë të njëanshme, me vetëm votat e Rilindjes. Natyrisht, edhe disa të tjera të kaparuara, ndoshta edhe gjatë kësaj mbrëmje.

Sonte “kryelajmi” në media kombëtare, tradicionale e portale, është anëtarësimi në PS i Valbona Selimllarit. Këshilltarja e Erion Veliajt nga viti 2017, nuk mendoj se duhet të përbëjë lajm me fuqinë e “kockës” kur i hidhet një qeni të uritur.

Thjeshtë, kafsha e gjorë megjithëse shumë e uritur, nuk e shuan atë duke lëpirë kockën, edhe pse gjendrat shijes e stomakut sekretojnë lëngje, teksa pronari shqyen mishin që ka shkëputur nga kockat. Të jeni të sigurtë, se as ish-Miss- i i parë i Shqipërisë, as edhe të gjitha Miss- et në vite së bashku, nuk ia dalin të imponojnë vullnetin e shqiptarëve me 25 prill.

Dalja në skenë e këtij “kryelajmi”, duhet të na sjellë në vëmendje mënyrën e funksionimit të politikës shqiptare, me konceptin e “kockës” për opinionit publik në pjesën e dukshme për të vepruar të pashqetësuar në pjesën e padukshme.

Mbështet ShkodraWeb Media

Në fakt, nuk do të ishte aspak çudi që nesër, para parlamentit, të bëhej grumbullimi më i madh i shqiptarëve që mund të jetë organizuar ndonjëherë. Sepse zyrtarisht, për herë të parë në 30 vite, një forcë politike në pushtet, me numrat që zyrtarisht nuk i ka, po përpiqet ti krijojë vetes bonuese gati 9 muaj nga data e zgjedhjeve politike.

Po si mund ti sigurojë këto vota? Për zgjedhjen e një presidenti të vendit, kur duheshin jo më pak se 84 vota dhe mazhoranca e rradhës nuk i kishte, një votë deputeti u vlerësua deri në 500 mijë euro. Sot, eurot kanë më pak vlerës, sepse janë më të shumta në duart e mazhorancës. Siç edhe deputetët për ti blerë, janë më të lehtë, në kushtet kur nuk përfaqësojnë askënd veç vetes dhe nuk kanë ambicie e mundësi reale për tu rikthyer në atë sallë.

Historia e Selimllarit dhe trumbetimi i saj në media, janë në funksion të realizimit të qëllimit. Ndërsa “krismen” do t’ja dëgjojmë pa kaluar tre ditë. E sigurisht, do të na hidhet një tjetër “kockë”. /Nga Blerti DELIJA/

ShkodraWeb Channel