OPINION – Kërcënimi me ndërprerje të marrëdhënieve me PD nëse Berisha zgjidhet kryetar, kryeministri po përpiqet të emërojë opozitën…

“Me Saliun ne s’kemi punë. Për ne ai është i vdekur. Kuptohet politikisht dhe instucionalisht, jo biologjikisht. Biologjikisht i urojmë jetë të gjatë. Me të vdekurin që e keni në mes të shtëpisë mos na ngatërroni. Kjo është e para. Ne nuk e zgjedhim se kush e drejton grupin tuaj parlamentar. Nëse ju merrni vendimin për t’u drejtuar me një të vdekur, ne ndërpresim me PD çdo marrëdhënie.”.

Është një nga deklaratat më të rënda në politikën shqiptare, ajo e artikuluar në seancën plenare të Kuvendit nga kryeministri i vendit Edi Rama. Edhe pa e shqiptuar, nuk është e vështirë të kuptohet se shefi i Ekzekutivit është në një linjë me ambasadoren e SHBA- së në Tiranë dhe DASH që ish- kryeministrin Berisha e kanë shpallur “non grata”. Megjithatë, artikulimi i drejtpërdrejtë dhe në vetë të parë, në kuadrin e politikës sonë kombëtare, është i rëndë.


Partia Demokratike, opozita e këtij vendi, është në një moment aspak të lehtë. Kryeministri Rama, të cilit i intereson një opozitë sa më e dobët, sot ka ndërhyrë direkt në punët e brendshme të opozitës. Në konfliktin e hapur në mes linjës “berishiane” dhe asaj “bashiste” të përfaqësuar aktualisht nga Alibeaj, Rama po mban krahun e kundërshtarëve të ish- kryeministrit. Kjo, edhe pse gjykatat e këtij shteti, kanë njohur zyrtarisht Komisionin e Rithemelimit të PD- së si legjitim në drejtimin e partisë më të madhe të opozitës.

Efektet e kësaj ndërhyrje, bëhen edhe më të rënda teksa PD- ja është në një ristrukturim të plotë që do të kulmojë me Kuvendin Kombëtar të 30 prillit, ku do të zgjidhet Këshilli Kombëtar e më pas, nga ky organ, Kryesia e cila do ti hapë rrugën zgjedhjes së kryetarit me parimin “një antar, një votë”. Edi Rama nuk është thjeshtë dhe vetëm kryeministër por edhe kryetar i PS- së. Në këtë pozitë, ai po përpiqet të ndikojë direkt në fatet e partisë opozitare që ka përballë.

Po ashtu, Shqipëria nuk është një shtet privat. Duke nisur nga Kushtetuta e shumë ligje të tjera, bashkëpunimi mazhorancë- opozitë është në kufijtë  e detyrimit ligjor, institucional e moral. Në këtë kuptim, kryeministri po përpiqet të ndikojë deri në imponim përzgjedhje të partnerit shtetformues por edhe rivalit të sotëm e të nesërm politik. Për një demokraci normale, kjo do të ishte fatale.

Nëse kryeministri ndërpret marrëdhëniet me opozitën, i bie që ai të mos e njohë atë si element shtetformimi. Nga ana tjetër, edhe opozita mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë, duke mos e njohur kryeministrin e qeverinë. Madje, duke kërkuar edhe emërimin e një kryeministri tjetër në vend të Ramës. Ku mund të përfundojë ky vend, ky shtet, nëse linjat e qasjes do të ishin këto? Kush e paguan haraçin e madh veç shqiptarëve? Integrimi në BE e ka kusht themelor bashkëpunimin mazhorancë- opozitë për reformat përafruese me Unionin, apo edhe kjo nuk i intereson kryeministrit të vendit?

Kryeministri ka detyrim të zbatojë Kushtetutën e ligjet e vendit, të cilat në asnjë nen nuk parashikojnë ndërprerje të marrëdhënieve me opozitën, nëse në krye të saj vjen një person i shpallur “non grata” nga një vend i huaj. Me gjasë, deklarata e sotme e Ramës, sado e rëndë të jetë për konceptin e funksionimit politik të një shteti demokratik, nuk do të ndikojë aspak në vullnetin e demokratëve. Vetëm ata kanë në dorë të zgjedhin drejtuesit e partisë së tyre, ndërsa mazhoranca është e detyruar jo vetëm të respektojë opozitën, por edhe të bashkëpunojë me të për interesin e vendit dhe të shqiptarëve.

Në rastin më të keq, kur nuk ka një dëshirë të qartë e të shprehur nga palët, mjafton të lexohet e zbatohet kushtetuta e ligjet në fuqi. Vendimet e shteteve të huaja, nuk duhet të kenë ndikim në marrëdhëniet mazhorancë- opozitë. Këtë sigurisht që kryeministri Rama e di por mesa duket, po përpiqet të emërojë kundershtarin që do të ketë përballë në zgjedhjet e radhës. Kjo është e rëndë! /Nga Blerti DELIJA/