Me një shënim të shkurtër të profilin e tij në Facebook, Saimir Tahiri ka njoftuar “Neser ne 11.30 shihemi live ketu, per te shpjeguar te verteten time, deri ne kete stacion te pare ?”. Njoftimi është bërë të premtën për të shtunën (sot) duke shtyrë disa orë atë takim për të cilin ftoi mediat sapo përfundoi seanca ku ai u “dënua” me shërbim prove 3 vjet e katër muaj.
Daljet publike të ish- ministrit të brendshëm, nga koha kur i nisën telashet me drejtësinë, kanë patur gjithmonë audiencë dhe kanë ngjallur kërshëri. Për vetë pozicionin shumë të rëndësishëm që ka patur, marrëdhëniet e afërta me kryeministrin Rama dhe mundësinë e “cicërimit”, “të vërtetat” e tij kanë ngjallur gjithmonë diskutime e debate në të gjitha nivelet sociale.
Sot, sipas gjasave do të ketë përsëri audience, natyrisht jo në nivelin e daljeve të tij të mëparshme. “Fati” i tij është përcaktuar nga gjykata, të paktën në nivelin e parë të drejtësisë. Por gjithsesi, siç e ka njoftuar edhe edhe vetë, “lufta” vazhdon në shkallën e dytë të drejtësisë. Madje, edhe Prokuroria ka paralajmëruar ankimim brenda 15 ditëve, siç ua mundëson ligji.
Po çfarë do të “këndojë” sot para mediave e qytetarëve Saimir Tahiri?
Ato që vazhdojnë të quhen “mesazhe të koduara” nuk do të mungojnë. “Lufta” me prokurorinë vazhdon dhe ky institucion, jo zyrtarisht, dihet se nën “hyqmin” e kujt konsiderohet dhe jo vetëm nga opozita. Fillimisht, Tahiri do të kërkojë përshpejtimin e shqyrtimit të çeshtjes së tij në Apelin e Krimeve të Rënda. Për dy arsye: Sepse mund të emërohet një Prokuror i Përgjithshëm tjetër nga Arta Marku si dhe mund të ngrihet SPAK e BKH që nuk janë më nën “hyqmin” e politikës shqiptare.
Duke vijuar me “të vërtetën” e tij, ish- ministri i brendshëm do të këmbëngulë se është i pafajshëm. As edhe shpëtimi nga burgu përmes “shërbimit të provës”, nuk e kënaq. Ai është politikan dhe si i tillë, nuk dëshiron të jetë i parinë këtë soj që dënohet me vendim të formës së prerë. Përveç imazhit, dënimi do ti shkatërronte edhe vijimësinë e pritshme të karrierës politike.
Nuk do të mungojnë as mesazhet për ambasadorët e selitë diplomatike. Sidomos për ato që kanë shprehur rezerva për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. E në këtë linjë, falënderimet për mbështetësit, brenda e jashtë PS-së, janë një detyrim për ish- ministrin e brendshëm.
Është e dëgjuar, lehtësisht e parashikueshme por gjithsesi, “kënga e sprasme” e Saimir Tahirit! Le ta dëgjojmë për të kuptuar realitetin e 30 viteve të fundit të përmbledhur në “rrëfimin” e rradhës! Kjo na ka mbetur! /Shënim i ShkodraWeb/