
E kishim parashikuar që kandidimi i Neomalsores në listën e mbyllur, qoftë të PS- së apo edhe PD- së, mund të ngjallte reagime. Kjo, për shumë arsye, të kuptueshme e të pakuptueshme logjikisht. Pavarësisht se mjaft e njohur si personazh jo i zakonshëm, Neomalsore është një “hyrje e re” jo vetëm në botën politike por edhe atë të gjykim- paragjykimit publik.
Përsa kohë ishte Neomalsore që ne e njihnim si personazh që promovohej si shembull edhe nga seli diplomatike siç është Ambasada e Britanisë së Madhe dhe jo vetëm, thuajse gjithçka mbetej në kuadër të kuoriozitetit. Një vajzë e re nga Dukagjini, e mirëedukuar dhe mirëarsimuar, me mundësi edhe për të jetuar larg vendlindjes, kthehet dhe punon fort edhe punë të pazakonshme për gjininë femërore, e cila beson se mund të ndërtojë diçka në vendlindje. Një vajzë, që ndryshe nga bashkëmoshataret që pëdorin dhjetra programe e filtra për të nxjerrë një imazh sa më përfekt deri të rrejshëm të saj në rrjete sociale, Neomalsore nuk e ka problem të tregojë veten të pakrehur, me rroba pune, me djersë dhe duke përkëdhelur edhe bagëtitë.
Nga mbrëmja e 12 marsit 2025, duket se gjërat kanë ndryshuar. Një subjekt politik, që siç është PS mund të ishte edhe PD, jo vetëm që e vendos në listë, në listë të sigurtë për deputete por edhe të parën. Me zë dhe pa zë, Neomalsore po komentohet, anatemohet, sulmohet, pikë së pari për shkak të origjinës së saj. Sepse për formimin e saj njerëzor dhe arsimor nuk mund të cënohet, as edhe për përpjekjet e saj për të ndërtuar diçka të veten bazuar tek puna. Edhe në fakt, vajza që diku nga nëntori duhet të mbushë 25 vjet jetë, e parandjente se do të paragjykohej pikërisht për shkak të vendlindjes e vendbanimit të saj, Dukagjinit.
E tha haptas në ato pak rreshta që publikoi pasi u kandidua, e tha me një gegnishte që mbase ngjason më shumë me të folmen e përditshme të zonës nga vjen dhe padyshim, ndjehet krenare. Dhe duhet të jetë krenare të fakt. Për shumë arsye. Mbase dikush tjetër, do të kishte preferuar ta shkruante edhe në gjuhë letrare por atëherë nuk do të ishte Neomalsore por dikush tjetër.
Neomalsores i përmendin edhe një podcast me kryeministrin e vendit. Realiteti është se në çdo vend të botës, një personazh si kjo vajzë, do të tërhiqte vëmendjen. Sepse ta themi haptas, është një model jashtë standardit që jemi mësuar të shohim, është një vajzë “si motit”, është një simbol që të gjithë e admirojnë por e shohin vështirë të arritshëm. Sepse po jetojmë në realitetin e “me i ra hunda në tokë, nuk ulet me e marr”, siç thuhet prej shekujsh në Shkodër.
Neomalsore nuk ka nevojë për avokati, nuk ka nevojë as për këto rreshta që në fakt, nuk kanë synim “mbrojtjen” por evidentimin, pasqyrimin e një fenomeni të ri në jetën publike në Shkodër e Shqipëri, sigurisht edhe në jetën publike shqiptare. Ndoshta me kalimin e viteve apo me fillimin e detyrës si deputete apo më lart, edhe Neomalsore mund të ndryshojë, transformohet apo tjetërsohet. Këto 35 vite, na kanë ofruar veçse shembuj negativë, edhe pse asnjë i ngjashëm me zanafillën e nisjes së rrugëtimit të saj në politikë. Këtë ne nuk mund ta parashikojmë, as nuk mund të hamendësojmë.
Nomalsore është antipodi i pjesës më të madhe të politikanëve të këtyre viteve që nuk u tha kush “puna e mbarë”, hynë në politikë si i vetmi profesion dhe u kthyen në miliarderë. Për hir të realitetit, edhe me pasoja personale, dyert e burgut. Kjo vajzë po hyn në politikë pa një shtytje reale, pa një mbështetje të fortë. Me gjasë, kryeministri mund ta ketë zgjedhur ekzakt për shkak të profilit të saj të pazakonshëm, edhe pse ndoshta qindra të tjerë iu paraqitën si alternativa.
“Shqetësimet” për mbështetjen që mund të ketë, do të shtojë apo heqë vota tek subjekti që e propozoi në listë si kryesuese, janë dhe duhet të jenë shqetësim vetëm i kësaj force politike. Kjo është një temë që, nëse nuk duam të kalojmë në paragjykim, do të ketë mundësi të komentohet dhe sigurisht, haraçin apo bonusin, do ta marrë sërish subjekti politik.
Tingëllon çuditshëm, e dimë, por Neomalsore po hyn në politikë si “njeri i punës”, i bërë apo ndërtuar vetë, duke tejkaluar edhe paragjykimet, ndoshta edhe nga rrethi i saj i afërt. Po hyn dhe nuk i dihet sa do të qëndrojë, a mund ti rezistojë jo vetëm kënetë- politikës shqiptare të 35 viteve por edhe pamundësisë për të të vijuar ëndrrën e saj. Ndoshta kur të bëhet pjesë e politikës së lartë, edhe mund të zhgënjehet. Atëherë, fati mund ti buzëqesh dikujt nga lista pasuese e subjektit që i besoi hapin e parë. Tani për tani të paktën, mbase eklipson disi imazhin e kuruar të politikanëve me syze 30 mijë euro apo me “Rolex” 50 mijë. /Shënim i ShkodraWeb/